Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i shoqëruar nga drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, mbrëmjen e djeshme inspektoi shërbimet e Policisë së kryeqytetit, për të parë nga afër zbatimin e masave antiCovid dhe punën që po bën Policia në këtë drejtim.
Gjatë inspektimit në zonën e Tiranës së Re, kryepolici Veliu u ka kërkuar drejtuesve të Policisë së Tiranës që të qëndrojnë në krye të shërbimeve, me qëllim monitorimin e zbatimit të masave antiCovid, jo për të vendosur gjoba, pasi gjoba nuk është aspak qëllimi i Policisë, por me qëllimin e vetëm parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Nisur nga shtimi i rasteve, Veliu ka theksuar se punonjësit e Policisë në terren duhet të intensifikojnë kontrollet në lokale dhe duhet të ushtrojnë kontrolle të pandërprera në sheshe, bulevarde e në çdo ambient publik, duke treguar zero tolerancë ndaj atyre qytetarëve që nuk respektojnë masat dhe protokollet e sigurisë.
Ai shtoi se çdo ditë policia po kryen kontrolle dhe monitorime të masave, por kjo situatë e pandemisë ka ardhur duke u rënduar.
“Policia e Shtetit është e angazhuar për të zbatuar të gjitha detyrat që rrjedhin nga Akti Normativ, në kuadër të pandemisë. Çdo ditë jemi duke kontrolluar dhe monitoruar masat, por kjo situatë ka ardhur duke u rënduar. Jemi munduar të sensibilizojmë dhe qytetarët të na mirëkuptojnë, por shifrat e fundit në rritje dhe vala e fundit si në të gjithë Evropën edhe këtu tek ne, na detyron që ne të veprojmë ndaj çdonjërit që thyen rregullat e vendosura për pandeminë”, tha ai.
Drejtori i Policisë së Shtetit, në fund u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë bashkëpunues në mënyrë që t’i shërbejmë komunitetit dhe çdo qytetari për minimizimin e pandemisë.
“Njëkohësisht u bëj thirrje qytetarëve që të jenë bashkëpunues me punonjësit e Policisë, sepse kjo thirrje që po ju bëjmë nuk është thjesht një kërkesë e shtuar e punonjësve të Policisë, por është një e mirë e cila duhet t’i shërbejë gjithë komunitetit dhe çdo qytetar ashtu si ne duhet të kontribuojë për të minimizuar dhe shkëputur zinxhirin e pandemisë. Ju lutem, respektoni rregullat dhe përgjigjuni të gjitha thirrjeve të cilat janë të vendosura në kuadër të pandemisë!”, përfundoi Veliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.