Kinema

Arben Derhemi sqaron edhe si “tiranas”: E vërteta e polemikës për figurën e Qazim Mulletit

Leximi i veprës “Prefekti” i Besim Levonjës në Teatrin Kombëtar për festat e nëntorit ka ngjallur polemika të shumta. Reagimet erdhën pasi pjesa që u vu në skenë nën regjimin komunist, në origjinal ironizon ish-prefektin e Tiranës, Qazim Mulleti dhe shfaqja sipas kritikëve damkos banorët e Tiranës.

Por aktori Arben Derhemi, i cili mban rolin e Qazim Mulletit në leximin e pjesës, sqaron për Gazetasi.al se këtë herë vepra vjen në një këndvështrim tjetër.  

Derhemi shprehet se shoqata “Tirona Intellectum” që e ka cilësuar si vepër denigruese, nuk ka baza të vërteta. Për të para se të ngresh një çështje, duhet ta kesh parë atë.

“Kjo është një histori e sajuar që në fillim, që kur ka lindur, është e sajuar nga shoqata që vetëfunksionojnë dhe vetëfinancohen. Kanë vendosur të thonë fjalën e tyre, por pa baza të vërteta, kanë vendosur ta thonë edhe duke prekur telat nacionalistë, jo vetëm të trevës së Tiranës, por edhe të trevave të tjera”, shprehet aktori Derhemi për Gazetasi.al, ndërsa shton se “një tirans mbi të gjitha thuhet në atë reagim luan rolin e denigrimit të figurës së Qazim Mulletit. Që në krye të herës njeriu mendon që ta shikojë njëherë, dhe të vendosë nëse kam ndërmend unë ta denigroj, apo s’kam ndërmend ta denigroj, apo Teatri Kombëtar”.

Duke pasur edhe një ndjeshmëri më të lartë ndaj figurës së Qazim Mulletit si tiranas, aktori Arben Derhemi thotë se leximi që i bënë veprës në Teatrin Kombëtar më 28 nëntor ka të bëjë me një lloj rivlerësimi, me ngritjen e kësaj figure.

“Leximi i kësaj vepre ka të bëjë me ngritjen e kësaj figure dhe me rivlerësimin e saj, sidomos nga ana ime, që edhe unë si çdo tiranas kam ndjeshmëri ndaj kësaj figure. Për sa i përket veprës, ne e kemi lexuar veprën si rishikim tjetër, me një qasje tjetër dhe besoj se është një gjë që i bën nder Teatrit Kombëtar dhe neve në përgjithësi, megjithatë kjo nuk vlerësohet nga unë, por vlerësohet nga institucioni, i cili ka politikat e veta”.

Për Derhemin, të gjithë këto reagime dhe lumë kritikash, në thelb janë dashakeqëse. 

“Unë mendoj që kjo punë ka të bëjë me keqdashje duke shpifur. Gjithë kjo atmosferë është krijuar me një qëllim të caktuar, që unë nuk e kuptoj për momentin”, vijon më tej aktori për Gazetasi.al.

Për leximin e kësaj vepre ishte shoqata “Tirona Intellectum” që reagoi ashpër, fill pas posterit që publikoi Teatri Kombëtar, pasi sipas tyre duket se Teatri me këtë vepër po rivlerëson tezat e qasjet që kishte Teatri gjatë regjimit komunist.

Polemika për këtë vepër artistike, pati edhe në Komisionin e Medias. Ishte deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, që propozoi ndalimin e filmave dhe dokumentarëve që lartësojnë diktaturën komuniste.

“Ne kemi përgjegjësinë të ndikojmë në edukimin e brezave të rinj dhe të marrim një pikënisje nga kjo ngjarje, nga debatet që kanë lindur në rrjetet sociale, në opinionin publik, në media për shfaqjen e programuar të ‘Prefektit’ në Teatrin Kombëtar, për të rihapur edhe një herë jo vetëm diskutimin, por edhe mendimin institucional dhe ligjor për një projektligj që personalisht do ta mbështes, i cili ndalon shfaqjen e filmave në televizionet publike, në televizione të paguara nga taksat e qytetarëve, të atyre filmave që do të cilësohen të ndaluar nga profesionistë, si filma të propagandës komuniste dhe instrumente të diktaturës”, u shpreh ndër të tjera deputetja Zhupa.

Ndërkohë, për aktorin Arben Derhemi është e papranueshme ndërhyrja e politikës në këtë çështje, aq më tepër për një qytetar tiranas që sipas tij është trajtuar aq keq nga vetë politika.

“Përderisa është futur dhe politika në këtë mes është shumë e shëmtuar, që këtë qytetarin autokton të Tiranës e kanë trajtuar si mos më keq duke i hequr dhe titujt e pronarit dhe duke i vënë të ish-pronarit. Artistët assesi nuk duhet të futen në mesin e një vorbulle të ndyrë politike”, përfundon Derhemi për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë