Futboll

Apolonia ndal Partizanin, Tirana merr fitoren e dytë radhazi. Kastrioti thellon krizën e Skënderbeut (video)

Partizani ka bërë një hap fals sot në Kategorinë Superiore, teksa është ndalur në një barazim 1-1 në transfertën e Fierit, ndaj Apolonisë. Sfida u zhbllokua në minutën e 24-t. Esin Hakaj realizoi një autogol në portën e tij dhe Apolonia në avantazh. “Demat” reaguan dhe ia dolën të gjejnë golin e barazimit 15 minuta përpara fundit të takimit. Braziliani Lucas Cardoso dërgoi topin në rrjetë, por vetëm kaq. Një pikë, nuk vlen njësoj për Partizanin duke qenë se rivalët për titull, mund të përfitojnë. Aktualisht, Partizani ruan vendin e dytë me 39 pikë, ndërsa Apolonia mbetet e parafundit me 15 pikë, tre më pak se Bylis i vendit të tetë.

Në “Selman Stermasi” Tirana arriti një fitore në kryeqytet ndaj Bylisit me shifrat 2-0. Ndeshja nisi me shumë gabime në mesfushë nga të dy skuadrat, teksa Bylisi u shfaq më rrezikshëm në disa raste pas humbjeve të topit në zona të rrezikshme nga lojtarët bardheblu. Në minutën e 40 ishte mbrojtësi i ri që Behiratçe zhbllokoi shifrat, teksa gjeti golin e parë me fanellën e bardhebluve pas një harkimi perfekt të Marsel Ismajlgecit. Bardheblutë rrezikuan disa herë portën e Qirkos, para se të shënonin golin e dytë me Ismajlgecin, që tundi rrjetën me një goditje të fortë brenda zonës në minutën e 75-të. Tre pikë jetike për Tiranën, që sot regjistroi fitoren e dytë rresht, teksa Bylis vazhdon të qëndrojë në fundin e tabelës.

Kastrioti ka marrë maksimumin nga transferta e Korçës, ndaj Skënderbeut teksa ka mposhtur me rezultatin 0-1 Skënderbeun. Krutanët iu falën një goli të të zakonshmit Devid, i cili në minutën e 50 realizoi me kokë golin vendimtar. Tre pikë pozitive për Kastriotin, ndërsa ekipi korçar mbetet në vend të fundit.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 22

Apolonia-Partizani 1-1

(Hakaj (aut) 25′ / Cardoso 75′)

Tirana-Bylisi 2-0

(Behiratche 41′, Ismajlgeci 75′)

Skënderbeu-Kastrioti 0-1

(Devid 51′)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë