Rend dhe Ligj

Gara për kryeprokuror, Allushaj paralajmëron ankimim edhe ndaj Apelit

Gjykata e Apelit Administrativ rrëzoi padinë e avokatit Lulzim Allushaj duke mbyllur kështu njërën prej problematikave që mbante peng Këshillin e Lartë të Prokurorisë në vijimin e procedurave për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri me mandat të plotë.

Apeli i dha të drejtë vendimit të KLP-së që e skualifikoi Allushajn nga gara për kryeprokuror pasi nuk plotësonte kriterin e 15 viteve punë si jurist i spikatur në momentin që kishte aplikuar për t’u bërë kryeprokuror. Vetë Allushaj tha se e plotësonte këtë kriter më 15 qershor të këtij viti dhe akuzoi KLP se kishte shkelur afatin ligjore prej 45 ditësh për të vlerësuar kandidaturat.

Pas këtij vendimi në garë janë zyrtarisht tre kandidatë. Arta Marku, Olsian Çelaj dhe Fatjona Memçaj garojnë për postin e kryeprokurorit.

Vendimet e këtij lloji të Gjykatës së Apelit Administrativ janë të formës së prerë, por Avokati Lulzim Allushaj nënkuptoi se mund ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Janë vendime të formës së prerë, por duke qenë se kemi të bëjmë me vendime që cenojnë të drejtat e njeriut dhe të pambështetura në ligj, janë të ankimueshme dhe unë do të ftoja kolegët e mi juristë që të bëjnë të njëjtën gjë ndaj vendimmarrjeve të tilla”, deklaroi ai në dalje të seancës, që pa t’i rrëzohej padia ndaj KLP-së.

Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit. Por, kjo nuk pengon Allushajn që të dorëzojë ankimimin ndaj vendimit të Apelit Administrativ në pritje të formimit të plotësimit të kësaj gjykate me numrin e nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje. Kjo do të thotë se në këtë skenar hipotetik, zgjedhje e kryeprokurorit të ri mund të shtyhej edhe me një vit. Gjithsesi, mbetet për t’u parë sesi do ta interpretojë Këshilli i Lartë i Prokurorisë një ankimim të mundshëm të Allushajt.

Kjo ishte pengesa e jashtme që mbante pezull KLP në vijimin e procedurave për zgjedhjen e kryeprokurorit. Por, një tjetër pengesë, në dukje edhe më komplekse është ajo e miratimit të metodologjisë me anë të së cilës do të kryhet vlerësimi dhe pikëzimi i kandidatëve.

Padia e avokatit Lulzim Allushaj në Gjykatën e Apelit Administrativ në Tiranë, ndaj vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që e skualifikoi nga gara për kryeprokuror mori trajtën e një sage që nuk po mbyllej, duke përforcuar dyshimet e ngritura nga Gazeta “Si”, se zvarritja e kësaj çështje është e qëllimshme.

Në fillim të javës gjykata duhej të shqyrtonte ankimimin e avokatit, por seanca është shtyrë sërish dhe këtë radhë sërish shkak është bërë mungesa e një prej gjyqtarëve të trupës gjykuese. Kjo ishte shtyrja e radhës. Më datë 16 tetor, seanca u shty për shkak se gjyqtarja Bernina Kondi, njëra nga gjyqtaret e trupës gjykuese kërkoi shtyrje me argumentin se ka të atin sëmurë.

Allushaj dorëzoi ankimimin më datë 2 tetor, në limitet kohore të lejuara nga ligji për të kundërshtuar vendimin e KLP-së. Më datë 9 tetor, po në limitet kohore që ligji i ngarkonte gjykatës për të shqyrtuar këtë padi, Apeli Administrativ gjeti mangësi në dosjen e dorëzuar nga avokati dhe i kërkoi atij plotësimin e dosjes.

Të gjitha këto veprime të Gjykatës së Apelit Administrativ, por edhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që nuk ka miratuar ende metodologjinë e vlerësimit të kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm me mandat të plotë zvarrisin zgjedhjen e kryeprokurorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë