Ka ndodhur

Apeli liron infermieren dhe sanitaren e “Shefqet Ndroqit”. Në burg 2 të tjera

Gjykata e Apelit ka liruar infermieren Sidorela Cela dhe sanitaren Rukie Hoxhaj në spitalin Covid 2, të arrestuara për “Shpërdorim detyre” dhe “Mashtrim” të pacientëve të shtruar me Covid në këtë spital.

Sipas hetimeve të prokurorisë, si dhe zbardhjes së tabulateve telefonike, të dyja akuzoheshin se kishin biseduar shpeshherë me sanitaren Tire Alldervishi për mënyrën se si do t’i ndanin paratë e marra nga pacientët.

“Vetë vendimi i gjykatës dilte në konkluzionin se nuk kishin bashkëpunuar me Tire Alldervishin. Vendimi i gjykatës është i drejtë”, mësohet të jetë shprehur avokatja e tyre para mediave.

Apeli ka vendosur për të dyja masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Ndërkohë për dy infermieret e tjera, Mira Bushi dhe Sheqerie Koçi nuk është pranuar ankimi i masës, duke mbetur në burg.

3 infermieret dhe 1 sanitare u arrestuan në javën e parë të muajit shkurt. Për 3 infermieret akuza është shpërdorim detyre dhe mashtrim. Sipas prokurorisë, të katërta, bashkë me Tire Alldervishin, kishin krijuar një skemë për zhvatjen e pacientëve të spitalit “Shefqet Ndroqi”, të shtruar atje me koronavirus. Ato merrnin përfitime të paligjshme nga familjarët në këmbim të shërbimeve spitalore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë