Lajme

Apeli lë në burg kunatin e ‘Babales’, detyrim paraqitje për gazetarin

Apeli i Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi masat e sigurisë për Fredi Alizotin dhe gazetarin Jetmir Olldashi.

Alizoti është kunati i Albert Veliut (Babales) dhe akuzohet për imitimin e zërit të Agron Xhafajt, të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në audiopërgjimin e publikuar nga PD-ja, gjë që e ka pranuar edhe vetë i pandehuri.

Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi është lënë në fuqi masa detyrim paraqitje. Ndërkohë që “Arrest në burg” është masa edhe për Albert Veliun.

Të tre, Babalja, kunati dhe gazetari janë të dyshuar për kryerjen e veprat penale të “Kallëzimit të rremë”. Për këtë dosje në hetim është edhe deputeti i PD, Ervin Salianji.

Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se Fredi Alizoti, kunati i Albert Veliut i quajtur ndryshe “Babale” ka pranuar në Prokurori se ka imituar zërin e Agron Xhafajt dhe për këtë shërbim ai së bashku me 'Babalen' do paguheshin 200 mijë euro nga deputeti i PD, Ervin Salianji. Alizoti ka deklaruar se ka qenë ide e Albert Veliut që në tetor-nëntor 2017 për të përgjuar vëllain e ministrit të Brendshëm, por s'po ia arrinte dot, pasi Agron Xhafaj nuk e afronte.

Për avokatin e gazetarit Jetmir Olldashi, Çlirim Gjata procesi ndaj klientit të tij është i montuar politikisht nga prokuroria për të shpëtuar fytyrën e qeverisë.

Në një dalje për mediat pas rivlerësimit të masës, Gjata tha se për Olldashin Gjykata e Apelit nuk ndryshoi qëndrim, detyrim paraqitje një herë në dy javë.

“Nuk është se ndryshoi ndonjë gjë të madhe as Gjykata e Apelit. Të vetmen gjë që atë që kishte kërkuar prokurori një herë në dy javë paraqitjen e gazetarit. Gjykata e Rrethit i kishte dhënë një herë në javë, ishte treguar ndoshta më e zellshme sesa duhet, e rregulloi një herë në dy javë.

Nuk mori parasysh kërkesat tona që këtu s'ka vepër penale në adresë të gazetarit. Nuk mori parasysh ato kërkesat tona në lidhje me provat që praktikisht nuk ka prova. Prova bazë që janë përgjimet e Alizotit janë të gjitha kundër akuzës, pa folur për kundërshtitë e tij dhe mungesën e besueshmërisë te ky dëshmitar. Përfundimisht i gjithë ky proces unë vazhdoj të mbroj të njëjtën pikëpamje, është proces i montuar politikisht nga prokuroria për të shpëtuar fytyrën e qeverisë pas gjithë atyre skandaleve që ka ndodhur dhe për këtë akuzojnë një gazetar”, u shpreh avokati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë