Politike

Apeli i Vuçiç: Të tregohemi të zgjuar, Kosovën e kemi humbur

Me një gjuhë të përulur dhe gjysmëzëri, Aleksandër Vuçiç iu drejtua sërish serbëve në përpjekjen e radhës për të siguruar mbështetjen e tyre se përse duhet të gjetur një kompromis përfundimtar me Kosovën.

“Është e nevojshme që të flasim të vërtetën. Përkufizimi i një shteti do të thotë hapësira territoriale, popullsia dhe ushtria e policia. Nga këta tre elementë, në Kosovë ne kemi vetëm popullsinë dhe atë në zona të caktuara dhe jo në të gjithë territorin e Kosovës. Ne e quajmë vijë ndarëse administrative, por e vërteta është që ajo vijë është një kufi i vendosur nga perëndimorët dhe ne nuk mund ta kalojmë atë vijë pa marrë më parë leje”, deklaron Vuçiç në një intervistë dhënë për televizionin shtetëror serb.

Bisedimet me Kosovën thotë se janë të vështira, si për Beogradin, ashtu edhe për Serbinë. Këtu nënkupton se si ai, ashtu edhe Hashim Thaçi janë vënë në qendër të kritikave dhe akuzave për tradhti e shitje të vendit me idenë e korrigjimit të kufijve.

“Detyra jonë është që të negociojmë. Për këtë na kanë votuar edhe njerëzit. E kemi përgjegjësi dhe detyrë që të bisedojmë dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme për qytetarët tanë”, thotë ai.

Sipas tij, aleatët e Serbisë në komunitetin ndërkombëtar për çështjen e Kosovës janë të paktë, por Beogradit nuk i mungojnë miqtë. Një të tillë quajti kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Gjermania e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka njohur Kosovën si shtet dhe për të kjo është një çështje e mbyllur. Por, Angela Merkel është një mike e madhe e Serbisë. Kontributi i saj në tërheqjen e investimeve të huaja në vendin tonë është i pashembullt dhe nuk e teproj të them që rritja prej 4.4 për qind e ekonomisë për këtë tremujor është edhe si pasojë e ndihmës së Gjermanisë”, argumenton Presidenti serb.

Vuçiç komentoi edhe përplasjen me klerikët e kishës ortodokse serbe për idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Janë ca kufij që nuk janë vendosur me dëshirën tonë. E kuptoj që gjashtë komuna serbe ndodhen në juf të lumit Ibër, por një zgjidhje duhet gjetur. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të mirën e qytetarëve serbë kudo që ata ndodhen dhe me aq sa kemi mundësi, por ajo që nuk kuptoj në këtë moment është masa e përfshirjes së klerikëve në punët e shtetit”, thotë ai.

Akuzon edhe politikanët kundërshtarrë se po gënjejnë qytetarët serbë me iluzionin se Kosova është e Serbisë.

“Janë disa politikanë që gënjejnë qytetarët duke u përsëritur se Kosova është Serbi. Më thoni, a e kontrollon sot Serbia Kosovën?!”, shton Vuçiç.

Në fund, Presidenti serb u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të vet që të tregojnë tolerancë dhe mbi të gjitha të tregohen inteligjentë në këtë periudhë delikate për vendin, ndërsa njoftoi se më 9 shtator do të vizitojë Kosovën para se të takohet me Hashim Thaçin në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Pikërisht në këtë takim, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të paktën siç ka deklaruar shpesh këto kohë, do t’i paraqesë homologut serb propozimin e tij për “korrigjim” të kufijve, propozim që thotë se nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, pa i dorëzuar Serbisë Veriun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë