Lajme

Anulohet projekti 1 mld dollarësh i Behgjet Pacollit në Divjakë

Kryeministri Edi Rama ka anuluar që në muajin prill projektin për ndërtimin e një resorti turistik brenda Parkut të Divjakës, një ide e propozuar nga kompania “Mabetex Group” e ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Investimeve Strategjike, një organ i ngritur prej 2015 pas miratimit të ligjit mbi investimet strategjike. Ky Këshill drejtohet nga ana e Kryeministrit dhe ka si mision vlerësimin e ofertave të investimeve strategjike, përfshirë këtu përputhshmëria me legjislacionin dhe ndikimi i tyre në mjedis.

Projektin në fjalë, ky këshill e ka rrëzuar me arsyetimin se projekti shkel ligjet shqiptare për mbrojtjen e mjedisit dhe legjislacionin për zonat e mbrojtura.

Për këtë projekt u fol fillimisht që në fund të 2015, por në kuadër të “thashethemeve”. Vetëm në 2017 një grup organizatash e shoqatash kombëtare dhe ndërkombëtare ngritën alarmin duke paralajmëruar se investimi rrezikonte zhdukjen e florës dhe faunës dhe se projekti binte ndesh me disa ligje vendore dhe konventa ndërkombëtare të ratifikuara nga Parlamenti shqiptar.

Shoqata Shqiptare e Ornitologjisë thotë se Parku Kombëtar i Divjakës shërben si shtëpi për 1.8 për qind të popullatës për 10 lloje shpendësh dhe moratoriumi i gjuetisë e ka rigjallëruar këtë zonë dhe e cilësoi si fitore vendimin për refuzimin e resortit.

“Ky është dokumentim i mirëfilltë i mbrojtjes dhe rezistencës ndaj presionit multidimensional mbi zonën më me rëndësi për popullatat globale të shumë gjallesave, mbi epiqëndrën e larmisë biologjike të Shqipërisë. Ky është dokumentim i pastër e i qartë se një zonë që përfaqëson 1.8 % të popullatës biogjeografike për 10 specie shpendësh dhe që njëkohësisht është zonë Ramsar, IBA dhe KBA, zonë kandidate Emerald dhe zonë pilot Natura 2000 mund t’ja dali!”, thotë kjo shoqatë.

“Mabetex Group” zyrtarizoi ofertën në vitin 2017, ku premtonte një investim prej 1 miliard dollarë në këmbim të marrjes së pronës publike brenda një zone të mbrojtur dhe Parku Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë