Lajme

Anulimi i zgjedhjeve, nis debati në Kuvend, Meta tjetër konferencë shtypi

Ka nisur seanca plenare, ku ndryshe nga herët e tjera Kuvendi është mbledhur sot për një mocion me debat në lidhje me vendimin e presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Ndërkohë, Presidenca nga ana e saj ka njoftuar një tjetër konferencë në orën 17:00, pra fill pas mbarimit të seancës plenare. Nga njoftimi nuk bëhet me dije nëse do të jetë vetë Meta ai që do t’iu drejtohet mediave dhe se çfarë do komunikohet.
Përpara nisjes së seancës, PS ka mblodhi grupin parlamentar në sallën e seancave plenare për të diskutuar rreth mocionit dhe me argumentet që do të japin për të kundërshtuar dekretin e presidentit.
Debati për të hedhur poshtë vendimin e presidentit, do të zgjasë 5 orë, nga të cilat mazhoranca do të ketë në dispozicion 170 minuta, ndërsa opozita bashkë me deputetët e pavarur 130 minuta.
Ndërkohë, kreu i qeverisë, Edi Rama, ka njoftuar se do të mbajë fjalën e tij në orën 12:00.
“Sot në 12.00 në Kuvendin e Shqipërisë, fjala ime në debatin e Rezolutës, Mbi aktin e presidentit të republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 ‘për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore’”, shkruan Rama në rrjetin social “Facebook”.
Vetëm një orë pasi presidenti Ilir Meta firmosi dekretin për anulimin e zgjedhjeve, PS vendosi në mbledhjen e Kryesisë hartimin e një rezolute mbi aktin e presidentit Ilir Meta për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, ku u sollën argumente se përse ky vendim është antikushtetues.
Në kërkesën e mocionit firmosur nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, theksohet se akti i presidentit është i pavlefshëm, i paprecedentë dhe në kundërshtim me Kushtetutën, pasi sipas tij synon të pengojë shqiptarët që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.
Ndërkohë, policia ka marrë paraprakisht masat, duke shtuar forcat e sigurisë para godinës së parlamentit. Rreth 250 forca policie janë angazhuar para Parlamentit. Gjithashtu perimetri i jashtëm i saj është rrethuar nga gardhi metalik dhe teli me gjemba, edhe pse opozita nuk ka asnje plan për protestë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë