Politike

Anulimi i zgjedhjeve, LSI: Meta po mbron unitetin e kombit

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon kreun e qeverisë, Edi Rama se po kërkon të zhdukë pluralizmin politik në Shqipëri. Lidhur me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit nga ana e presidentit, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së tha sot në përputhje të plotë me Kushtetutën, presidenti ka mbrojtur dy kolonat e republikës parlamentare.
“Presidenti i Republikës në përputhje të plotë me Kushtetutën ka nxjerrë dje një dekret për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Presidenti i Republikës ka kryer me këtë dekret një veprim kushtetues, i cili ka mbrojtur dy kolonat e republikës tonë parlamentare, ka mbrojtur pluralizmin politik dhe u garanton qytetarëve mundësinë që të zgjedhin dhe të zgjidhin, ka mbrojtur unitetin e kombit nga një rrezik ekstrem konflikti civil dhe social të pashembullt. Rilindja e interesuar të përvijojë puçin kushtetues të rrëmbimit kriminal të pushteteve”, u shpreh Vasili.
Ai theksoi se kryeministri Rama do që të zhdukë pluralizmin dhe të shtyjë orët e pushtetit.
“Rama është i interesuar drejtpërdrejt që në Shqipëri të vendoset monizmi, zhdukja e pluralizmit politik dhe kërkon të vendosë në konflikt të fortë social popullin e nëpërmjet kësaj të shtyjë orët e pushtetit për të vijuar të vjedhë qindra miliona pa u ndëshkuar. Demokracia në Shqipëri është në rrezik të madh për shkak të puçit kushtetues të Rilindjes dhe skenarit të saj kriminal për rrëmbimin e të gjitha pushteteve. Pushteti që grabit qindra milionë euro nga paratë e qytetarëve, me koncesione dhe vepra korruptive të përmasave gjigante po tenton që t’i japë edhe demokracinë krimit.
Pushteti i cili me kriminelët dhe me gjithë strukturat e krimit të organizuar rrëmbeu votat në zgjedhjet e vitit 2017 në zgjedhjet e qershorit dhe ku dosja 339 dhe 184 të cilat kanë evidentuar qartë krimin zgjedhor nuk zbardhen aspak po mbahen të bllokuar, janë tentativa tjetër që demokracinë t’ia dorëzojnë krimit, ai krim me të cilin rilindja kërkon të rrijë në pushtet”, tha ndër të tjera Vasili.
Në këtë situatë të nxehtë politike, Vasili deklaroi se opozita është më e palëkundur dhe më e fortë se kurrë për të vazhduar kauzën e saj.
“Kjo betejë është për të shpëtuar themelet e shtetit dhe të ardhmen e fëmijëve tanë nga rrëmbimi kriminal që ka një fund të sigurt pasi sot përballë ndodhet një popull i tërë i vendosur në një kauzë të drejtë”, tha Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë