Politike

Meta sulmon SHBA, zbutet me Ramën, nervozohet për reformën dhe Monikën


Presidenti Ilir Meta ka sqaruar vendimin arsyet e vendimit për të ç’dekretuar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke dhënë dhe argumentet se pse e ndërmori një akt të tillë. Fillimisht Meta deklaroi se edhe më parë paraardhësit e tij si Moisiu apo Nishani kanë nxjerrë dekrete për të anuluar datën e zgjedhjeve, por se ato nuk janë akuzuar për shkelje të Kushtetutës.
Ndërsa ka theksuar se arsyeja që ndërmori për shtyrjen e datës së zgjedhjeve është se kishte informacione nga institucionet ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë se do të kishte trazira më 30 qershor. Pora ka hedhur poshtë se vendimi i tij ka ardhur për të plotësuar tekat e opozitës.
“Opozita ka edhe tekat e saj për sa i përket kushteve të caktuara, nuk jam këtu për të ndihmuar në plotësimin e tekave të saj, por assesi për të toleruar që përveç datave, që kanë qenë mjaft problematike në historinë e Shqipërisë si 2 prilli 1991, 26 apo më pas 28 maji 1996, 14 shtatori 1998 apo 21 janar 20011, si dhe të lejoja të kishte një 30 qershor apo një 8 qershor. Vendimi im është marrë me përgjegjësi të plotë, sepse në gjithë të dhënat, për shkak të grupeve të interesave të caktuara jashtë dhe brenda vendit situata më 30 qershor mund të shërbente për akte që do të dëmtonin rëndë stabilitetin e vendit dhe do t’i jepte mundësi të dyja palëve të akuzonin njëra-tjetrën dhe faji të mbetej jetim dhe ta vuanin qytetarët . Por kështu edhe me bisedat që kam bërë me agjencitë ligjzbatuese, por dhe me faktorët ndërkombëtar që janë të interesuar për stabilitetin kam pasur informacione”, deklaroi Meta.


Telefonata e regjistruar e Bashës në Presidencë dhe dreka me Berishën

Meta ka zbuluar ndërkohë që më 8 qershor në ditën e protestës ka pasur një telefonatë me kryetarin e PD-së, Luzim Basha, duke sqaruar edhe arsyet se pse kishte ndërmarrë një vendim të tillë. “Në datë 8 qershor me përgjegjësi të lartë kombëtare, bëra shfuqizimin e dekretit të Presidentit për datën e zgjedhjeve. Republika nuk është monopartitizëm, republika nuk mund të jetë as kapje totale nga ana e maxhorancës dhe as delegjitimimi i tyre nga ana e opozitës. Zgjedhjet do të zhvillohen në një datë të mëvonshme”, tha Meta.

Meta në konferencën për shtyp


Sa i përket telefonatës së bërë me Bashën, presidenti deklaroi se e kishte regjistruar telefonatën duke dhënë edhe arsyet. “Për sa i takon nëse vendimi është influencuar nga Basha, Berisha, ja po e shtoj edhe nga Monika…Absolutisht. Madje dëgjova edhe një politikan me përvojë që thoshte se Presidenti e ka bërë këtë vendim për t'i shërbyer opozitës, kur vetë është në opozitë. Nëse kjo i shërben, i shërben pikërisht atij. Zoti Basha këtë vendim e ka marrë vesh vetëm në orën 7:10-15 të fillimit të mitingut, përmes një telefonate zyrtare dhe Basha nuk e ka ditur, e cila është e regjistruar përmes sekretarisë telefonike. Ku i është kërkuar që të ndërpritet mitingu në çdo moment që do të ketë manifestim dhune, edhe që do të bëhej publik vendimi për anulimin e zgjedhjeve për të shtensionuar manifestimin dhe që të përfundonte sa më shpejt”, deklaroi Meta. Ndërsa arsyet se pse e regjistroi bisedën me kryedemokrati, Meta dha këtë shpjegim “Ajo ishte për përgjegjësitë e mia dhe të Bashës nëse do të kishte probleme në të ardhmen”.
Meta ndërkohë hodhi poshtë edhe qëndrimet se kishte konflikt interesi për vendimin, për faktin se bashkëshortja e tij drejton LSI-në, partinë aleate të PD-së. “Mos u bëni qesharakë, në Shqipëri ka vetëm një institucion që shpall zgjedhjet dhe ky është Presidenti. Mos u lodhni kot duke shpikur institucione, vendimet e tij i gjykon vetëm Kushtetuesja. Mund t'i çoni në Administrative apo Kolegj, apo po të doni edhe në Skrapar. Por zgjedhje nuk ka dhe nuk do të ketë pa dekretin e Presidentit", theksoi kreu i shtetit

Dreka me Ramën dhe pakënaqësitë me të majtën
Presidenti zbuloi se Rama e dinte për vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Madje ai theksoi se ai vetë ia kishte thënë Ramës për drekën me Berishën, në një takim sekret që ai ka pasur me kryesocialistin në Pallatin e Kongreseve.
"Që takohem hera-herës me Berishën kjo dihet dhe se nuk është e sekret. Nga e dinte zoti Rama? Kemi pasur një drektë sekrete para 10 ditësh ku kemi biseduar dhe ai e di shumë mirë sesa i shqetësuar jam unë për këtë situatë dhe sigurisht i takonte atij që të kërkonte një shtyrje të arsyeshme për zgjedhjet vendore. Që në 24 maj kam shprehur gatishmërinë time për t'i shërbyer një zgjidhje pas dakordësimit të palëve për të shfuqizuar 30 qershorin dhe për të gjetur zgjidhje për një datë tjetër. Kjo nxitje e imja për dialog nuk ka funksionuar dhe 2-3 përpara se të merrej ky vendim, Rama ka qenë në një emision dhe ka thënë se nuk e vendos në diskutim 30 qershorin. Nuk kam bërë tentativë për të komunikuar me Ramën atë ditë, sepse më ka nderuar, ka vizituar Skraparin dhe Beratin për të marrë pjesë në miting. Kam bërë një përpjekje për të komunikuar me Zotin Ruçi për ta takuar, por ai ka qenë duke udhëtuar drejt Tepelenës, kjo është e gjithë historia pse Rama nuk ka qenë i surprizuar. Unë jam i surprizuar nga reagimi i tij, ka kohë të reagojë", tha kreu i shtetit.


Nismën më të fundit për rezolutën e Kuvendit, Meta e cilësoi si një shantazh dhe presion i hapur ndaj institucionit të Presidentit, duke shprehur edhe pakënaqësi për mënyrën se si është sjellë mazhoranca dhe kryeministri në raport me këtë situatë apo me përpjekjet për ta zgjidhur atë. Ai i shpreh se mund të caktohej një datë për zgjedhjet nëse palët bien dakord dhe faktit nëse do të inicionte ndonjë tryezë politike për zgjidhjen e krizës, iu përgjigj me një batutë: Nëse nuk më shkarkojnë mund ta ndërmarrë nismën.


Sulmet ndaj amerikanëve dhe europianëve


Presidenti u shpreh se nuk ka frikë dhe këtë e dinë shumë mirë dhe ndërkombëtarët dhe ambasada amerikane, ku ia ka thënë dhe ambasadorit Lu, gjatë kohës ku u bë debati për reformën në drejtësi. Madje theksoi se po të mos ishte këmbëngulja reforma në drejtësi nuk do të miratohej me konsensus dhe se vendimi për çeljen e negociatave. Presidenti ndërkohë pyetjes së ndërkombëtarët janë shprehur kundër dekretit për anulimin e zgjedhjeve, u shfaq tejet i ashpër dhe u sulmoi ato qëndrime. “Pluralizëm zgjedhje të lira dhe unitet. A ka ndonjë që beson se zgjedhjet e 30 qershorit do të ishin të lira dhe demokratike dhe shqiptarët do të shprehin vullnetin e tyre? Ju jeni të rinj, por ka një dallim mes zgjedhjeve dhe votimeve, shqiptarët kanë nevojë për zgjedhje jo votime, se ashtu kanë pasur 45 vite. Nëse ka ndonjë europian dhe amerikan që do të monitorojë dhe të shikojë zgjedhje të tilla, le të shkojë në Korenë e Veriut, këtu jo se ka ardhur pluralizimi politik. Zero janë mundësitë pa e zgjidhur këtë krizë, jo për të çelur negociatat tani, por as në shtator dhe shumë vite integrimi nuk do të duket në horizont", deklaroi Meta. Ndërsa u shpreh se “zgjedhje në Republikën e Shqipërisë nuk ka dhe nuk do të ketë pa dekretin e presidentit, Gjykata Kushtetuese është institucion që jep interpretimin për dekretin tim, ato mund ta çojnë edhe në gjykatën e rrethit të Skraparit kjo është çështje tyre”, deklaroi Meta. I ashpër ka qenë edhe me komentet sa i janë bërë nga BE-ja dhe drejtuesi i misionit të OSBE-së, Miroslav Lajçak.
“Me zotin Lajçak kam pasur bisedë shumë këndshme pak më parë edhe do të jem vazhdimisht në kontakt, nëse ka ndonjë nga Brukseli apo diku tjetër që mund të nxjerrë ndonje dekret për zgjedhjet, ta nxjerrë. Presidenti i Republikës jam unë, përgjegjësi për stabilitetin e vendit e kam unë. Për kontributet pozitive janë të mirëpritur. Kush ka dëshirë për të kontribuar në ngatërresa, jemi lodhur për ngatërresat e disa prej tyre deri më tani, nuk jemi nevojë as për eurojuristë dhe as për eurodiplomatë kemi nevojë për njerëz të përgjejgshëm që i qëndrojnë besnik parimeve evropiane të demokracisë, të pluralizmit ligjor”, theksoi Meta.
Ai shtoi se nuk kanë mbaruar as shqiptarët e përgjegjshëm dhe as europianë e përgjegjshëm për zgjidhjen e krizës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë