Analize

“Antishpifja” dhe modeli gjerman, PS do të shmangë 84 votat

Bledar Hoti – Paketa Antishpifje e lançuar nga kryeministri Edi Rama mund të realizohet edhe pa ndërhyrë në Kodin Penal.

Një gjë e tillë është paralajmëruar nga vetë përfaqësuesit e maxhorancës, të cilët po synojnë që të shmangin votimin e kësaj nismë me një shumicë të cilësuar të votave. Arsyeja është se nëse do të paraqisnin amendamente për ndryshim të Kodin Penal, atëherë maxhorancës do t’i duheshin 84 vota, të cilat nuk i disponon.

Nisur nga kjo situatë e mungesës së votave, maxhoranca mund të hartojë një draft më vete për Paketën Antishpifje, e cila nuk do të kërkojë një shumicë të cilësuar të votave për t’u kaluar në Parlament, por me një shumicë të thjeshtë.

Një ide të tillë të maxhorancës e ka bërë të ditur deputeti i PS-së, Adnor Shameti gjatë një prononcimi të dhënë për gazetën “SI”.

Socialisti Shameti sqaroi se “nëse bëhet  fjalë për një ligj të veçantë, mund të miratohet edhe me shumicë të thjeshtë, ndërsa nëse kemi të bëjmë me një ligj ku kërkohet ndërhyrja në Kodin Penal, atëherë nevojitet shumica e cilësuar, pra dhe votat e opozitës”.

“Të gjitha Kodet janë të miratuara me shumicë të cilësuar, nëse do të jetë ligj i veçantë do të nevojitet shumicë e thjeshtë, por nëse ndërhyhet në Kodin Penal duhet të kemi shumicë të cilësuar dhe duhet konsensusi i opozitës”, u shpreh Shameti.

Deputeti i PS-së, Adnor Shameti

Gjithashtu deputeti, anëtar i komisionit parlamentar të Ligjeve ka sqaruar edhe idenë e hedhur për modelin gjerman, të cilin maxhoranca po synon ta adaptojë në ligjin shqiptar. “Si bazë ligjore i referohet Kodit Penal gjerman. Në të është e parashikuar një dispozitë e tillë për shpifjen për shkak të detyrës e artikuluar nga persona të cilët marrin pjesë apo zhvillojnë veprimtari publike e më së shumti deklarata të tilla janë artikuluar në veprimtari publike kundër personave të përfshirë në jetën politike. Flasim për subjekte të posaçme që ngrenë akuza të pabaza. Dua të sqaroj një gjë, që parimi i së drejtës është që liria shkon deri atje sa nuk cenon tjetrin. Në këto kushte gjithsecili prej nesh duhet të jetë i kujdesshëm në artikulimin e deklaratave të pabaza”, tha Adnor Shameti.

Por socialisti bën të ditur se një gjë e tillë akoma nuk është vendosur më mënyrë përfundimtare për rrugën se si do të veprohet.

Ideja për miratimin e një paketë Antishpifje u hodh nga kryeministri Edi Rama pas ngjarjes së bujshme që shkaktoi përplasje politike mes maxhorancës dhe opozitës për rastin e denoncimit për përdhunim, nga Xhiesiela Maloku ndaj Rexhep Rrajës, djali i deputetit të PS-së, Rrahman Rraja. Denoncimi u bë publik nga oficeri i policisë Emiliano Nuhu, i cili theksoi se e vetë  atë e kanë kërcënuar Taulant Balla dhe përfaqësues të tjerë të PS-së për t’u tërhequr nga hetimi i kësaj çështjeje.

“Më vjen mirë që s’jam më i vetmi që them se vajzën e morën peng dhe e kthyen në mish për topat e kazanit politik e mediatik! Më mirë vonë se kurrë. Ndërkohë duhet çmontuar me fakte pjesa tjetër e këtij horrori mendjesh e gojësh të përdala. Dhe shumë shpejt një paketë Antishpifje”, do të shkruante Rama në një status në rrjetet sociale, pasi Xhisiela Maloku hodhi poshtë publikisht se ishte përdhunuar nga djali i deputetit të PS-së.

Por, modeli gjerman parashikon që akuzat për shpifje të mos iniciohen me anë të avokatit personal për të bërë denoncimin, por të ketë një zyrë të posaçme, një prokuror për Antishpifje, ku vihet në lëvizje për rastet e denoncimeve të qytetarëve.

Gjithashtu ligji gjerman nuk parashikon burgim, por vetëm masa administrative me gjobë. Shpifja parashikohet nga Kodi Penal i Shqipërisë. Neni 120 i këtij Kodi thotë tekstualisht se “përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave, ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë”.

Por a do ta parashikojë kjo nismë e re të PS-së ndonjë dënim masë ndëshkimore me burg?  Një gjë e tillë duket se është hedhur poshtë nga një postim në Twitter i kryeministrit Edi Rama, i cili është kundërpërgjigjur dhe reagimeve të opozitës. “Paketa AntiShpifje në Kod Penal?Jo jo, as edhe një supë burgu nuk mund të paguajnë shqiptarët për shpifësit. Shpifësit e çdo lloji po, ata duhet t’i paguajnë sa frëngu pulën shpifjet e tyre dhe çdo pellg mediatik duhet t’u dalë për zot shpifësve që hedhin gurin e fshehin dorën”, shkruan kryeministri. Kështu dënimi në këtë nismë të PS-së, nëse do të realizohet, do të jetë vetëm me anë të sanksionimit të gjobave të majme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë