Çdo shpifje ndaj ministrave apo deputetëve do të paditen në gjykatë dhe paratë e fituara do t’i kalojnë për investime në çerdhe, kopshte dhe shkolla.
Kjo është një nga pikat e paketës Antishpifje që kryeministri Edi Rama e zbuloi me anë të një postimi në Facebook, duke paraqitur mënyrën se si do të veprohet në rastin e padive për shpifje, duke dhënë detaje nga projektligji që do ta miratojë së shpejti në Qeveri.
“Asnjë ministër dhe asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk do të tolerojë më asnjë shpifje. Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë. Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur të themelit të edukatës e mirësjelljes qytetare, të cilin çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet. Çdo shpifje në gjyq!”, shkruan Rama në Facebook.
Kryeministri ndërkohë thekson se çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit. Sipas tij, ky fond do të krijohet prej nesh për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompiutera apo materiale mësimore.
“Fondi i Edukimit, do të garantojë që paratë e ardhura nga gjyqet që do të bëjnë kryeministri, ministrat, deputetët, kryebashkiakët socialistë apo të tjerë veprimtarë të forcës sonë politike të gjendur përballë një shpifjeje, të shkojnë në destinacion, mbështetur në propozimin e fituesit të gjyqit. Fondi i Edukimit do të ketë një bord drejtues, të zgjedhur me propozimin dhe miratimin e mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar e qeverisë. Ky bord do të trajtojë propozimet e lartpërmendura dhe është e vetmja instancë që mund të vendosë tërheqjen nga një proces gjyqësor për shpifje”, shkruan Rama.
Ndërsa një Departament Antishpifje do të ngrihet në Partinë Socialiste, një strukturë e cila do të jetë e ngjashme edhe si institucion më vete.
Departamenti Antishpifje në PS do të koordinojë dhe ndjekë ecurinë e betejës sonë frontale ligjore kundër Shpifjes, çka nënkupton se brenda saj do të ketë juristë-shkruan Rama .
Kryeministri gjithashtu ka bë rë thirrje që të gjitha portalet mediatike të legalizohen, duke u regjistruar në QKB, pasi kjo shihet edhe si mënyra më e mirë për të zhvilluar edhe një betejë frontale në rastet kur akuzohen për shpifje.
Socialistët me këtë nismë duan të zbatojmë modelin gjerman për mënyrën se si veprohet në rastet e shpifjes. Ndërsa Rama paralajmëroi një mbledhje të zgjeruar mes qeverisë dhe grupit të PS-së për mënyrën e miratimit të këtij ligji, e cila sipas të gjitha gjasave do të mbahet javën e ardhshme.
Ndaj kësaj nismeje të shpallur nga kryeministri, ka reaguar kryetari i grupit të LSI-së , Petrit Vasili, i cili e ironizoi propozimin që do të ndërmarrë maxhoranca.
“BE dhe ShBA “shpifin” për drogën dhe krimin, kryeministri ç’pret t’i padisë . Bo, bo ç’gajasje kryeministri i Grizeldës po ankohet për shpifje. Ky kryeministër njihet deri në Bruksel si shpifës ordiner dhe sot po flet për shpifje. Lëri dënglat e shpifjeve se u bë re si gratë e liga. Shko padit edhe Departamentin e Shtetit, BE, Francën, Gjermaninë se “shpifin” për ty dhe thonë , që ti mbushe Shqipërinë me krim të organizuar, krim dhe korrupsion. Ore kryeministër karnavale mos pyet fare, padite gjithë globin. Kur të lë mendja si puna jote çdo gjë lejohet” shprehet Vasili në reagimin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.