Politike

Antishpifja, Këshilli i Europës i drejtohet Venecias, PS rrëzon Metën

Socialistët kanë rrëzuar në bllok dekretin e presidentit Ilir Meta si pjesë të paketës “Antishpifje”. Radhën e shqyrtimit të dekretit të Presidentit e kishte komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese, me ligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë".
Në këtë komisioni pati mjaft përplasje mes përfaqësuesve të presidencës dhe mazhorancës. Këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishi theksoi se AKEP shërben si masa e fundit pas vendimeve të AMA-s, duke u shndërruar në goditës së fjalës së lirë.
“Forca ushtruese e shtetit do të jetë e dyfishtë, një herë me gjobat nga AMA e më pas përmes AKEP. Të gjithë duhet të dëgjojnë deklaratat e Komisionit Europian që nëse nuk reflektohet do të ketë ndikim në procesin e integrimit europian”, tha Dervishi ndërsa shtoi se për këtë çështje duhet pritur edhe opinioni i Komisionit të Venecias.
Ndërkohë përfaqësuesi i AKEP, Bleron Dokle, sqaroi rastet se kur ky institucion ndërhyn sipas ligjit. “Ligji përpiqet të rregulloje normën e ligjit ekzistues. Ligji thekson se masa administrative do të jepet ndaj operatorëve që ofron shërbimin e jo ndaj mediave. Ne nuk merremi dot me përmbajtjen e një faqeje online. Vetëm pas një njoftimi nga autoritet përkatëse AKEP përfshihet”, tha Dokle.
Për relatorin Arben Pëllumbi, deputet i PS, dekreti i Presidentit nuk vlente për shkak se argumentet nuk ishin të qëndrueshme. “Argumentet e Presidentit nuk janë të qenësishme e për këtë nuk ka pse ta rishqyrtojmë këtë ligj. Gjykoj që të rrëzohet dekreti i Presidentit”, tha Pëllumbi.

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese


Deputeti i opozitës Kujtim Gjuzi, ka shprehur qëndrimin e tij kundër kësaj pakete, duke e konsideruar si mënyrë për t’u mbyllur gojën medieve, ndërsa shtetin shqiptar e ka quajtur shtet gjobëvënës. “Si harroni ju kolegë që keni 6 vite dhe nuk e keni marrë rrugën drejt Bashkimit Europian, a nuk ju bën të besoni se nuk do ta merrni as sot? Ky ligj bëhet pengesë. Ta zëmë që u tha një lajm i rremë. Ka gjykatë, mund të shkohet atje. Çfarë jemi, shteti gjobëvënës? Ju bëj ftesë kolegëve të Partisë Socialiste që të reflektojnë. Presidenti do ta çojë në Gjykatë dhe sado të miratohet, do të ketë 3-4 kundërshti dhe nuk do të keni të drejtën morale për të thënë se keni bërë një gjë të mirë. Mos bëni krim t’u mbyllni gojën! Le të flasin njerëzit”, u shpreh Gjuzi. Ai theksoi gjithashtu se fakti që vetë organizmat ndërkombëtare të gazetarëve dhe Bashkimi Europian kanë reaguar kundër këtij ligji e bën mosvënien e tij në fuqi akoma më të domosdoshme. Dekretet e presidentit pritet të shqyrtohen edhe nga komisionet e tjera parlamentar si ai i Medias dhe i Ligjeve.
Dërgimi në Venecia
Pavarësisht qëndrimit për të rrëzuar dekretin e presidentit, çështja e ligjit Antishpifje mësohet se i është kaluar për shqyrtim Venecias. Mësohet se vendimi për t’ju drejtuar Venecias nuk është ndonjë institucion shqiptar, por është pikërisht Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës nëpërmjet Komitetit të Monitorimit. “Komiteti i është drejtuar Komisionit të Venecias marrjen e një opinioni për nr.97/2013 “Për Median Audiovizive”, thuhet në njoftimin e komitetit. Gjithashtu vetë komisioni i Venecias ka bërë ditur se ka në agjendën e punës së tij shqyrtimin e ligjit Antishpifje.

Njoftimi ne faqen zyrtare të Komisionit të Venecias për ligjin Antishpifje


Këshilli i Europës ka kontestuar fuqishëm paketën që u votua në Parlament në dhjetorin e shkuar. Përfaqësuesit e KiE-s në Tiranë gjatë diskutimit të drafteve në Komisionin e Medias kërkuan që të mos miratohej dhe të rishikoheshin. Gjithashtu një ditë më parë pati edhe një reagim nga ana e Ana Pisoneros, zëdhënëses së Komisionit Europian deklaroi një ditë më parë nga Brukseli që ligji të rishikohet. “Ne e kemi bërë të qartë se Bashkimi Europian mbështet rekomandimet e Këshillit të Europës në rastin e ligjit të medias në Shqipëri. Ne pranojmë se shqetësimet dhe rekomandimet përkatëse janë sërish të vlefshme dhe ato duhen adresuar sërish. Faktin që Presidenti i Shqipërisë ka kthyer ligjin në Parlament e shohim si një mundësi për t’i pranuar ato. Ne shpresojmë që kjo të realizohet”, u shpreh zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero. Tashmë nuk dihet nëse mazhoranca do të presë mendimin e Venecias për ligjin Antishpifje, apo do të rrëzojë dekretet e presidentit. Të enjten pritet që komisioni parlamentar i Medias të shqyrtojë dekretin e presidentit Meta për kthimin e ligjit Antishpifje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë