Drejtësia

Ankimoi masën e sigurisë, Apeli i Posaçëm rrëzon kërkesën e Ramazan Rrajës

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Ramazan Rrajës për ndryshimin e masës së sigurisë, i akuzuar si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj.

Kjo nuk është hera e parë që Ramazan Rraja, i arrestuar në prill 2023 si pjesëmarrës në atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoj në vitin 2019, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, kërkon zbutje të masës së sigurimit.

Ai ka kërkuar edhe 2 herë të tjera, ku sërish GJKKO e ka rrëzuar. Përveç akuzave të mëparshme për organizimin e atentatit ndaj ish-prokurorit në vitin 2019, 30-vjeçarit i është shtuar edhe akuza e armëmbajtjes pa leje.

Rraja ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tij kishte masë sigurie "arrest në burg" në mungesë për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, në të cilin mbeti i vrarë Andi Maloku dhe u plagosën Aleksandër Laho dhe vetë prokurori i Durrësit. Vetë Rraja, para gjykatës i ka mohuar akuzat e prokurorisë.

I shpallur në kërkim, ai u kap mbrëmjen e së mërkurës te Ura e Gjoles në Fushë-Krujë, gjatë një operacioni të koduar "Komploti".

Në momentin e arrestimit Rraja ishte me pistoletë në brez. Për këtë arsye, ndaj tij është ngritur edhe akuza e armëmbajtjes pa leje.

Ai u shpall në kërkim së bashku me disa persona të tjerë, përfshirë Plarent Dervishajn, i cili ndodhet në Dubai.

Policia tha se 30-vjeçari nuk ishte larguar në asnjë moment jashtë shtetit, por fshihej në trekëndëshin “Durrës-Lezhë-Tiranë”.

Pak muaj më parë, në banesën e Ramazan Rrajës në Fushë Krujë, janë ushtruar dy kontrolle, pasi dyshohej si person që kishte dijeni për atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoj.

SPAK-u lëshoi urdhër për shoqërim të detyrueshëm të tij për të dhënë dëshmi, por në momentin e kontrollit Rraja nuk u gjend në banesë, dhe u paraqit pak kohë më vonë. Pasi u mbajt për disa orë në policinë e Tiranës, Rraja u la i lirë.

Në muajin shkurt, 30-vjeçari u dënua me 12 vite burg nga drejtësia belge, ku akuzohej si pjesë e një grupi kriminal shqiptaro-letonez, me rrezikshmëri të lartë, që nxirrte fitime të mëdha nga kontrabanda dhe trafikimi i kokainës.

Bashkë me Rrahjan, mbrëmjen e së mërkurës u arrestua edhe miku i tij, Luis Konomi, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë