Dosje

Në Shqipëri kërkohet për vrasje, Belgjika dënon Ramazan Rrajën me 12 vite burg për trafik droge

Drejtësia belge ka dhënë dënime të rënda ndaj një organizate droge shqiptaro-letoneze që tregtonte kokainë, duke përfshirë portet e Anversës dhe Vlissingenit. Një gjykatë, vendosi një dënim me 12 vjet burg për krerët e bandës, tre vjet më shumë se sa kishte kërkuar Prokuroria Publike.

Gazeta Si - Ramazan Rraja, një emër jo pak i njohur për drejtësinë shqiptare, është dënuar me 12 vite burg në Belgjikë, i akuzuar për trafik kokaine, si pjesë e një grupi të organizuar kriminal.

Mediat belge shkruajnë se Rraja bashkëpunonte me një shtetas letonez, Kaspars N. edhe ai i dënuar me 12 vjet burg si dy nga krerët e grupit.

Gjatë gjykimit, Prokuroria Publike e kishte cilësuar këtë grup kriminal si një organizatë kriminale “të lartë” që nxirrte fitime të mëdha nga trafiku i kokainës në Portin e Anversës (Belgjikë) dhe Vlissingernit (Holandë).

LEXO EDHE:
Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, SPAK shpall në kërkim Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist

Si prova për këtë, prokuroria belge tha se përdori përgjimet ambientale mes të dyshuarve, drogën e konfiksuar, fotografitë dhe katër orë luksoze.

Por Ramazan Rraja, tashmë i kërkuar nga Belgjika, është shpallur në kërkim edhe nga SPAK në Shqipëri, i dyshuarsi organizator në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, ku mbeti i vdekur shoferi i tij, Andi Maloku.

Hetimet

Prokuroria vendase kërkoi dënimin e tyre me nga 9 vite, por vendimi i gjykatës ishte me 3 vite më shumë.

Prokuroria publike iu referua kutive të mbushura me para nga droga, fotove të pakove të drogës, konfiskimit të orëve luksoze dhe faktit që organizata kishte korruptuar një oficer policie.

Gjatë gjykimit, akuza në Belgjikë provoi se organizata kriminale kishte arritur të nxirrte fitime të shumta nga trafiku i kokainës, të cilat më pas janë investuar në ekonominë vendase, Kaspars N. kishte hapur edhe një lokal në Anversë.

Autoritetet vendase, si prova paraqitën para gjykatës para të sekuestruara, foto të kokainës të kapur në disa raste.

Përgjime dhe drogë

Telefonat celularë të anëtarëve të bandës siguruan materiale të shumta për hetuesit, shtretër hotelesh plot me para, foto jahtesh luksoze dhe orë me vlerë 655 mijë euro.

Bosi kryesor i kësaj organizate ishte Kaspars N., nga Letonia, i cili u zbulua falë pajisjeve të përgjimit që i ishin vendosur në banesën e tij në Berchem. Organizata mund të lidhet me tre grupe kokaine të përgjuara. Kaspars N. dhe Ramazan Rraja u përgjuan duke folur për një kontejner që ndodhej në kalatën 1742, i njëjti kontejner me banane që tashmë ishte kontrolluar nga dogana, por pa rezultat.

Gjatë një kontrolli të ri, doganierët gjetën në tavanin e koshit një grumbull prej 57 kilogramësh kokainë. Autoritetet gjetën po ashtu edhe 50 kilogramë kokainë në Vlissingen në Holandë dhe 80 kilogramë në Çvitavekia në Romë (Itali), që lidhen me të njëjtin grup.

Droga, në pjesën më të madhe të rasteve vinte nga Ekuadori, zona e preferuar e punës së kriminelëve shqiptarë të drogës, por me dyshime edhe për disa vende të tjera të Amerikës Latine.

Arrestimi dhe lirimi në Belgjikë

Ramazan Rraja është arrestuar në vitin 2020 në Belgjikë në kuadër të operacionit “ATOS”. Së bashku me 6 persona të tjerë, i riu nga Nikla e Fushë Krujës u arrestua pas hetimeve për trafik droge ku u sekuestruan 232 kilogramë kokainë.

Për këtë rast, së bashku, me të u arrestua edhe Fioralb Rraja, kushëri i tij. Por Ramazan Rraja u lirua nga qelia me vendim të gjykatës belge më 27 maj të vitit 2021.

Gjykata në Bruksel vendosi të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Emri i 28-vjeçarit del edhe në deklarimet e ish-oficerit të policisë së Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu, që kallëzoi në polici se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, pasi po hetonte Rexhep Rrajën, djalin e deputetit pas denoncimit për dhunë të Xhisiela Malokut.

Në kërkim për atentatin ndaj Arjan Ndojt

I shpallur në kërkim prej 17 janarit 2023, SPAK pretendon se Ramazan Rraja, kushëriri i tij Redjan Rraja dhe persona të tjerë në qytetin e Durrësit, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në atentatin e datës 1 nëntor 2019 në zonën e Sukthit, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku dhe u plagos rëndë Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj.

Herën e fundit, Ramazan Rraja, u shpall në kërkim policor pas atentatit të ndodhur në 17 korrik 2022, në mbikalimin e Fushë- Krujës, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

Në atë kohë, Rraja ndodhej jashtë vendit. Rraja u shoqërua nga policia e Fushë-Krujës mesditen e 31 tetorit 2022, kur sapo ishte kthyer në Rinas nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Rraja dha deklarime në lidhje me hetimin e masakrës së 17 korrikut, duke dhënë pretendimet e tij dhe më tej është lënë i lirë.

Akuza të tjera

Ramazan Rraja, nipi i deputetit të PS-së Rahman Rraja, është ndaluar nga policia në Tiranë në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa lëvizte me automjetin e tij të dyshuar si të blinduar.

nuk është një emër i panjohur për policinë. Dyshohet se thuajse një vit më parë, ka dhunuar një grua te QSUT në kryeqytet.

Ai gjithashtu u rikthye në qendër të vëmendjes pas publikimit të një videoje, ku shfaqet në një lokal në Fushë-Krujë me kallashnikov, duke terrorizuar klientët.

Pas publikimit të lajmit, Rraja, nga Dubai mohoi të kishte qenë ai, duke thënë se policia merr ryshfet për të terrorizuar familjen e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë