Politike

Anketimi, socialistët duan një marrëveshje për zgjidhjen e krizës


Kriza politike në Shqipëri për Institutit e Studimeve Politike po agravohet, ndërsa nuk ka ende asnjë shenjë dialogu dhe as përpjekje për ndërmjetësim. Protesta më e fundit e 14 prillit po jep sinjalet se palët janë larg arritjes së një marrëveshjeje politike.
“Në synimet afatshkurtra, mazhoranca ndjehet komode pa opozitë dhe përfituese nga veprimi ekstrem i djegies së mandateve. Opozita ndjehet e frustruar nga pamundësia e qeverisë për të qeverisur dhe rritja e pakënaqësinë qytetare. Po më tej? A do të ketë bisedime dhe marrëveshje? A do të ketë ndërmjetësim dhe presion ndërkombëtar për një model të njëjtë marrëveshjeje si në Maqedoni më 2015 apo Shqipëri 2017? Mazhoranca nuk ka dhënë ende asnjë sinjal se ka një draft apo një nismë konkrete për bisedime dhe marrëveshje, opozita disa herë ka përsëritur, nuk ka më marrëveshje si më 2017. Shanset për një 2017 të dytë janë minimale, por skenarët optimistë nuk e përjashtojnë një marrëveshje “të madhe” të re”, thuhet në studimin e ISP-së.
Ky institut ka zhvilluar një anketim me 201 delegatë në Kongresin e fundit Elektoral të Partisë Socialiste mbi atë se si e vlerësojnë krizën aktuale politike dhe mundësitë e zgjidhjes së saj. Anketime të tilla me tema të njëjta për identitetet partiake, përbërjen e delegatëve, mandatet, legjitimitetin si dhe aktivitetet politike, ISP ka zhvilluar edhe në dy Kongreset / Kuvendet e fundit kombëtare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Shumica mendojnë se pakti


Në shqyrtim janë marrë vetëm tre tregues: vlerësimi i delegatëve të PS për marrëveshjen politike 2017 midis kryeministrit Rama dhe kryetarit të PD-së, Basha, - ku natyrshëm socialistët ndjehen fitues dhe vlerësues për të, - vlerësimi për mundësinë e një dialogu dhe marrëveshje të re politike për t’i dhënë fund krizës aktuale politike në Shqipëri, - si dhe vlerësimi nëse blerja e trafiku i votave kanë ndikim të madh në zgjedhje.
Rreth 75% e delegatëve të PS kanë vlerësim pozitiv për marrëveshjen e vitit 2017, por ndërkohë, 59% besojnë se kriza aktuale do të zgjidhet me një marrëveshje të re politike midis dy partive.

Kriza politike, anektimi i delegatëve socialistë mbi mundësinë e arritjes së marrëveshjes

Ndërsa sipas anketimit rezultojnë se 60% e delegatëve të PS mendojnë se blerja dhe trafiku i votave kanë ndikim në zgjedhje; vetëm 38% kanë mendim se ato nuk kanë ndikim të madh në zgjedhje.
“Mësimi? Mendimi i delegatëve është shumë më i avancuar në rregullat demokratike të njohjes dhe të trajtimit të konflikteve politike sesa i lidershipit të tyre. Ka diskordancë të madhe midis retorikës denigruese që përdor lidershipi i PS ndaj opozitës e protestave/kërkesave të saj dhe perceptimit të moderuar të delegatëve të Kongresit Elektoral të PS për opozitën dhe pretendimin e saj për ndikimin e blerjes/trafikimit të votave në zgjedhje", thotë ISP.

60% pranojnë se ka blerje votash, por se kjo nuk ndikim në zgjedhje

Të njëjtat situata me kontraste të thella midis mendimit të delegatëve dhe mendimit zyrtar të lidershipit partiak pati gjetur edhe anketimi i bërë në Kuvendin Kombëtar të PD vitin e kaluar. Pra, kur anëtarësia beson tek dialogu dhe marrëveshja është kontraversale sesi vetë liderët politikë besojnë më shumë tek konflikti i skajshëm dhe zgjidhja përmes forcës në rrugë apo forcës me kartona në Parlament.
“Nga ana tjetër, duhet theksuar se me siguri delegatët e PS shohin tek një marrëveshje të re mundësi praktike përfitimi njësoj si në marrëveshjen e vitit 2017, pra si një mundësi për ta tërhequr opozitën në sistem pa cenuar qëndrimin e tyre në pushtet. Fakti mbetet i njëjtë, të gjithë duam pluralizmin dhe i njohin problemet reale, por në mentalitete e ligjërim publik, shumica e atyre që marrin vendime, përfshirë militantët partiakë dhe drejtuesit e tyre, i duan kundërshtarët politikë jo për të ndarë me ta sfidat e sotme dhe të së ardhmes, por për t’i mundur, me çdo mjet e formë, dhe përmes këtij procesi, pra i duan thjesht për të legjitimuar vetveten dhe për të pasur një alibi të përhershme fajësie të tjetrit në rast dështimesh. Palët refuzojnë të përballen me faktet dhe sfidat, por duan ti përdorin ato në dobi të agjendave elektorale afatshkurtra, duke lënë të hapur mundësinë e precedentin që krizat të përsëriten periodikisht dhe palët politike të sillen njësoj sa herë kalojnë në opozitë apo vijnë në pushtet”, thuhet në raportin e ISP-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë