Financa Personale

Anketa/ 27% e shqiptarëve kanë kursyer rregullisht mbi 300 euro në muaj gjatë 2019-s

Rreth 30% e shqiptarëve të anketuar, kanë mënjanë para të kursyera dhe 27% e tyre kanë kursyer rregullisht në vitin 2019.  

Banka Qendrore e Austrisë ka publikuar raportin e integrimit ekonomik të Europës, ku bën pjesë dhe vendi jonë dhe që ndërtohet mbi anketat dhe pyetjet ndaj 1.000 personave në 10 shtete.

Shqiptarët kanë përqindjen me të lartë të kursimeve në rajon, në sasi dhe vlerë. Shifrat e  BQA-së tregojnë se gjatë 2019-s, një shqiptar ka kursyer mesatarisht 325 euro në muaj. Vlerë kjo që është më e larta ndër vendet e Europës Lindore dhe Juglindore, që po ashtu janë anketuar.

Në Poloni, qytetarët kanë kursyer pothuajse 500 euro në muaj, rregullisht, gjatë 2019-s, duke e bërë vlerën më të lartë ndër vendet e anketuara.

Viti 2019 për Shqipërinë pati zhvillime pozitive, ku shumë sektorë ekonomikë arritën kulmet etyre historike, ndër të cilat edhe depozitat bankare. Për herë të parë, shqiptarët kishin lënë në banka mbi 1 triliardë lekë.

Por, në këtë vit paga mesatare bruto në Shqipëri ishte 53 mijë lekë, që e bën të vështirë kursimin e një vlere  mbi 300 euro në muaj. Gjithsesi, të anketuarit nuk përbëjnë masën e qytetarëve në vendin tonë.

Një tjetër faktor mund të jetë evazioni dhe mosdeklarimi real i pagave që ishte problematikë në 2019-n dhe vazhdon të mbetet ende edhe sot në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë