Futboll

Angli-Skoci, ndeshja e parë ndërkombëtare

Duket e paimagjinueshme tani, por kur Anglia dhe Skocia vendosën ta luanin ndeshjen e parë në futboll, në të dyja anët nuk ishin të sigurt nëse do të kishte shumë kërkesa nga ana e tifozëve. 30 nëntor 1872, u zhvillua në Glasgow ndeshja e parë e futbollit midis ekipeve kombëtare. Arena e “The West Scotland Cricket Club” ishte e mbushur plot. Kjo ndeshje ka hyrë në histori si takimi i parë zyrtar midis ekipeve "kombëtare" sepse është njohur si e tillë si nga UEFA dhe FIFA, por federatat angleze dhe skoceze priren të përfshijnë në kujtesën e krahasimeve midis përfaqësueseve të tyre edhe disa ndeshje që ishin zhvilluar në Londër në vitet e mëparshme.  Për më tepër, në nëntor 1872 vetëm Shoqata Angleze e Futbollit Anglez (e themeluar në 1863) ishte aktive, ndërsa ajo Skoceze ende nuk kishte krijuar.

“Ishte një sukses i madh shoqëror dhe po ashtu sukses i madh financiar”, thotë historiani i futbollit Andy Mitchell. “Ishte një gurthemel që i bëri të kuptonin se ekzistonte një treg për futbollin dhe po ashtu se ekzistonte potenciali që loja të rritej.” Më shumë se 2000 shikues e ndoqën barazimin 1:1, duke siguruar fitim për ta financuar udhëtimin për ndeshjen e kthimit në Angli. Kështu edhe nisi rivaliteti tashmë më i vjetër në futbollin ndërkombëtar, përkatësisht futboll të përfaqësueseve.

Historikisht është një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme, pasi e ka ndihmuar futbollin të rritet, pasi edhe atëherë kanë qenë dy stile të ndryshme. Skocia ka pasur lojën me pasime, me punë ekipore. Anglia ka pasur një lojë me driblim, një lloj loje me vrapim me kokën poshtë. Shumë shpejt u bë e qartë se loja ekipore dhe me pasime ishte superiore karshi asaj që e luanin anglezët.

Më 9 prill të vitit 1938, BBC që vendosi të vërë kamerat në fushë dhe t’i dhurojë sportdashësve që ta ndjekin edhe nga televizioni një takim. Nga ndeshja e parë që “luhej brenda ekranit” kanë kaluar saktësisht 83 vite dhe protagonistët ishin Anglia e Skocia, e mbyllur me fitoren 1-0 të këtyre të fundit, duel i vlefshëm për turneun “Inter-britanik”. Në tri dekadat e fundit, Anglia e Skocia kanë zgjedhur të luajnë vetëm dy herë mes vete. Bëhet fjalë për miqësoret e vitit 2013 dhe 2014. Më shpesh janë takuar në kualifikime apo në turne të mëdha. Në ato dy ndeshje nuk kishte skena të dhunës që ishin të shpeshta në të kaluarën.

Ndikimi i skocezëve është larg prej gjendjes aktuale në futboll. Hendeku midis dy skuadrave është rritur shumë gjatë këtij shekulli. Derisa Anglia e hapi Evropianin 2020 me fitore ndaj Kroacisë, Skocia humbi në Glasgow nga Çekia. Skocezët së fundi ishin kualifikuar në Evropian në vitin 1996, por nuk kanë avancuar nga grupi pasi humbën nga Anglia në “Wembley”. Ndeshja mbahet në mend për golin e jashtëzakonshëm të Paul Gascogine. Skocezët nuk kanë qenë në Botëror që nga viti 1998, duke munguar në pesë rresht.

Shpresohet në atmosferë vetëm sportive edhe për ndeshjen e europianit në “Wembley”, ku vetëm 3500 anëtarë të “Tartan Army” (tifo-grupi i Skocisë) kanë marrë bileta. Në stadium, për shkak të kufizimeve si pasojë e pandemisë, do të jenë 22 mijë e 500 shikues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë