Politike

Angjeli në krye të KLSH-së? Meta: Kundër sundimit të shumicave

Presidenti Ilir Meta hedh poshtë mundësinë që deputeti i PS-së, ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli të propozohet prej tij si kandiddat për kryetar të Kontrolli të Lartë të Shtetit. Një qëndrim i tillë u bë publik nga vetë presidenti gjatë një prononcimi për median. Ai ka theksuar se propozimi i tij synon që të forcojë institucionet dhe jo të kapen ato nga shumica qeverisëse. Kreu i shtetit u pyet në mënyrë direkte nëse do ta dekretonte emrin e Angjelit në krye të këtij institucioni, pasi kjo shihet edhe si një kërkesë e mazhorancës, por përgjigja e tij ishte në mënyrë indirekte refuzuese.
“Unë jam i bindur që të gjitha zgjidhjet dhe propozimet e Presidentit të republikës synojnë forcimin e institucioneve të pavarura, dhe gjithmonë këtë gjë do të synojnë. Synojnë forcimin e sundimit të ligjit në vend dhe jo të sundimit të shumicave”, deklaroi Meta.
Deputeti socialist Anastas Angjeli është një nga 34 njerëzit që ka shprehur dëshirën për të qenë kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kjo lëvizje e tillë u cilësua edhe si shkak i lidhjes mes Metës dhe Angjelit, pasi kur të dy kanë qenë në PS ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë në qeverisjen socialiste, ndërsa edhe sot kane raporte shumë të mira.
Për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, zërat brenda mazhorancës u patën shprehur se janë pro caktimit të deputetit të PS-së në këtë institucion. Do të ishte pikërisht socialisti Ulsi Manja që do të deklaronte se kriteret për të qenë në postin e kryetarit i plotëson deputeti Angjeli.
Kuvendi i Shqipërisë i ka rrëzuar presidentit Meta dy dekretet e propozuara për emërimin e kryetarit të KLSH-së. Emri i parë do të ishte i gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj. Ndërsa emri i dytë do të ishte pikërisht ai i këshilltarit të tij për Sigurinë, Bahri Shaqiri. Tashmë mazhoranca është në pritje të emrit të tretë të Presidentit për kreun e KLSH-së.

Vendimi për Dajtin, Meta: Prokuroria të hetojë
Presidenti ndërkohë ka reaguar edhe për vendimin e Gjykatës së Apelit për ndryshimin e masës së dënimit ndaj Dritan Dajtit nga burgim i përjetshëm, në 25 vite burg, duke kërkuar hetimin nga prokuroria për vendimin e dhënë.
“Mbështes fuqimisht reagimin dhe thirrjen e ambasadorit të Bashkimit Europian, zoti Soreca, që KLGJ-ja dhe Prokuroria e Përgjithshme të vihen në lëvizje për të vlerësuar dhe për të verifikuar dhe hetuar çështjen në fjalë”, theksoi Meta.
Presidenti i bëri këto komente pjesëmarrjes që pati në konferencën e organizuar nga INFOÇIP me temë “Marrëdhëniet e Punës dhe Shqyrtimi Gjyqësor”. Në fjalën e tij, presidenti tha se duhet të plotësohet trupa e nevojshme gjyqësore në Gjykatën Administrative për të mos pasur vonesa në vendime.
Sa i përket largimeve të padrejta nga puna në administratë, tha ai, faturën duhet ta paguajë zyrtari që e ka shkarkuar punonjësin në mënyrë të padrejtë dhe jo taksapaguesi shqiptar.
"Numri në rritje i konflikteve gjyqësore dhe me një trupë gjyqësorë ende të paformuar sjell vonesa në vendime. Gjykata administrative duhet të plotësohet me trupën e nevojshme. Është rritur numri i konflikteve në marrëdhëniet e punës dhe 30% e rasteve në Administrative janë për problemet në marrëdhëniet e punës. Duhet të përcaktohet me ligj evidentimi i përgjegjësisë direkt të zyrtarit publik për shkarkime të padrejta nga puna, si përgjegjësi penale, duhet dispozitë e vecantë në kodin penal, por edhe financiar për cdo dëm që i shkaktohet buxhetit. Fatura e përballimit të dëmit t’i kalojë zyrtarit që ka marrë vendimin e padrejtë. Dëmi nuk mund t’i ngarkohet taksapaguesit shqiptar, që janë të dëmtuarit kryesorë në këtë rast”- tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë