Partia Demokratike kaloi nga akuzat në përgjithësi ndaj procesit të vettingut tek emrat konkretë sa i takon trupës së anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në shënjestër këtë të hënë ishte Komisioneri, Lulzim Hamitaj, i emëruar në qershor të 2017 nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në përshkrimin e publikuar në faqen zyrtare të KPK, Hamitaj rezulton i diplomuar jurist në vitin 1999 në Universitetin “La Sapienza” në Romë, Itali. Diplomën e ka mbrojtur edhe në Spanjë, në Universitetin e Valencias. Në vitin 2015 ka përfunduar masterin profesionalo-shkencor në të drejtën penale dhe kriminologji, në Universitetin Internacional “UNISED” në Milano.
Përshkrimi vazhdon me theksimin se ai është në përfundim të studimeve shkencore për të mbrojtur gradën “Doktor” në të drejtën e procedurës penale në Universitetin “La Sapienza”.
Vijohet duke thënë se Hamitaj është kualifikuar si avokat, ka licencë avokatie edhe në Spanjë, ka ushtruar profesionin e avokatit në Romë dhe është ekspert në të drejtën ndërkombëtare, penale, civile, financiare, fiskale dhe administrative.
Në faqen zyrtare thuhet gjithashtu se Avokati Hamitaj është njohës i disa gjuhëve, si italisht, spanjisht e frëngjisht dhe anglisht. Por, pikërisht për anglishten, PD thotë se ai nuk e zotëron në nivelin që e kërkon ligji për të qenë pjesë e organeve të vettingut.
Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi dolën në një konferencë për gazetarët. Paraqitën disa dokumenta, që sipas tyre janë prova që tregojnë se Lulzim Hamitaj ka falsifikuar dokumentacionin për kushtin e njohjes së gjuhës angleze në nivelin “shumë mirë”, ose C1.
“Lulzim Hamitaj ka aplikuar për pedagog pranë UET, ku ka deklaruar se zotëron nivelin fillestar të anglishtes, deri B1 në vitin 2016. Në 2017, kur ka depozituar dokumentat për komisoner, depoziton një certifikatë në nivelin e përparuar C1, certifikatë e lëshuar në vitin 2015 nga Qendra e Gjuhëve të Huaja në Tiranë”, tha Alibeaj.
PD pyet se përse Hamitaj nuk ka dorëzuar tek UET në vitin 2016 certifikatën e zotërimit të anglishtes në nivelin C1, që e ka marrë në 2016? Alibeaj thotë se është e qartë që kjo certifikatë është e falsifikuar, madje në datën që Hamitaj thotë se ka kryer provimin, nuk ka qenë fare në Shqipëri.
“Certifikata është lëshuar më 6 prill 2015, me numrin e referencës 4571, 6 prill 2015, kur pretendon se ka dhënë provimin dhe është pajisur me një certifikatë të zotërimit të gjuhës angleze C1. Në sistemin TIMS rezulton se Lulzim Hamitaj ka dalë nga Shqipëria më 28 mars 2015, ora 11:10 minuta e paradites dhe ka hyrë në datën 23 korrik 2015 në orën 07:08 minuta paradite. Pra, kur është dhënë provimi nuk ka qenë fizikisht në territorin shqiptar”, vijon Alibeaj.
PD paraqiti edhe një video-investigim të Fiks Fare në vitin 2015, pas të cilit qendra që ka lëshuar certifikatën e Lulzim Hamitajt u mbyll.
Opozita kërkon jo vetëm shkarkimin e Lulzim Hamitajt, por edhe vendosjen e tij nën ndjekje penale për akuzën e falsifikimit të dokumentave.
“Kërkojmë ndërhyrjen e menjëhershme për shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të komisionertit Hamitaj për përdorimin e një certifikate të falsifikuar sa i përket mbrojtjes së gjuhës së huaj angleze, falsifikimi në CV të akteve që kanë shërbyer për zgjedhjen e tij si komisioner në KPK. Prokuroria të nisë procedim penal ndaj komisionerit për falsifikim dhe përdorimin e dokumentave të falsifikuara që Kodi Penal parashikon dënim deri në 4 vite burgim”, deklaroi Gazmend Bardhi.
Partia Demokratike e merr rastin e Lulzim Hamitajt si shembull tipik të kompromentimit të të gjithë procesit të vettingut.
“Një anëtar i tillë i vettingut është minimalisht i brishtë për të rënë nën presionin politik të pushtetit dhe për këtë arsye edhe vendimet që ne kemi bërë të ditura janë po kaq të kontaminuara sa edhe ky rast”, mbylli deklaratën e tij, Enkelejd Alibeaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.