Politike

Anëtarët e Kushtetueses, Meta i drejtohet Venecias për “shkeljet e Kuvendit”

Presidenti Ilir Meta do t’i drejtohet komisionit të Venecias për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Hapi i kreut të shtetit ishte paralajmëruar disa ditë më parë, porse Presidenca bën të ditur se sot Meta i është drejtuar zyrtarisht Venecias në lidhje me procedurën për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Venecia gjithmonë e mirëpritur. Sot Presidenti Meta i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias lidhur me shkeljet kushtetuese dhe ligjore që ka bërë Kuvendi me zgjedhjet e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Nesër do të publikohen në faqen zyrtare të Kreut të Shtetit, kërkesa e Presidentit Meta për Komisionin e Venecias dhe pyetjet konkrete drejtuar atij”, reagon Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit.
Reagimi i presidentit Meta erdhi pasi u bë publik lajmi se në Shqipëri do të mbërrijnë ekspertët e Venecias të thirrur zyrtarisht nga Parlamenti për të interpretuar vendimin e kreut të shtetit mbi emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca e cilëson si shkelje të hapur të Kushtetutës, pasi presidenti e mori vendimin në tejkalimit të afatit 30 ditor. Për socialistët mos nxjerrja e këtij dekreti brenda këtij afati në mënyrë automatike duhej të ishte shpallur Arta Vorpsi si anëtare të kësaj gjykate.
Kjo përplasje u pasua me lëvizjen e socialistëve që të zgjerojnë objektin e hetimit të komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit, duke e futur si pjesë e planit edhe emërimin e anëtarit të Kushtetueses.
Për të pasur një vendim sa më të argumentuar, komisioni hetimor propozoi që Parlamenti t’i drejtohet Venecias për të dhënë një mendim të specializuar nga juristët mbi këtë përplasje të re institucionale. Më 13-14 shkurt, Venecia, pasi ka pranuar kërkesën e kryeparlamentarit Ruçi, ekspertët do të vijnë në Tiranë për t’ takuar me drejtuesit kryesorë të institucioneve, presidentin Meta, kryeparlamentarin Ruçi, anëtarët e komisionit të posaçëm hetimor.
Por ndërsa Parlamenti kërkon të dijë nëse presidenti ka shkelur Kushtetutën me akti e tij për Xhaferllarin, Meta nga atij ka një natyrë tjetër në kërkesën e tij. Kreu i shtetit kërkon të dijë nga Venecia mbi mënyrën se si u zgjodhën nga Parlamenti anëtarët e Kushtetuese, ku nuk kishte shumë alternativa, pasi të njëjtën emra kandidonin për të dy vende vakante të shpallura nga Parlamenti për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Për presidentin kjo procedurë dhe kandidatët e ofruar nga KED-ja janë në kundërshtim me ligjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë