Politike

Përplasja me Metën, 6 pyetje për dy “paqartësi” të socialistëve në Venecia

Mentor Kasa - Socialistët i kanë dërguar gjashtë pyetje Komisionit i Venecias për të dhënë një mendim në lidhje me përplasjen me Ilir Metën. Pyetjet kërkojnë nga ekspertët ndërkombëtarë një mendim që lidhet me dy momentet kulmore të përplasjes mes mazhorancës dhe Presidencës sa u takon emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Momenti i parë ka të bëjë me refuzimin nga ana e Presidentit Ilir Meta për të organizuar ceremoni betimi për Arta Vorpsin. Me këtë akt, sipas socialistëve Presidenti ka kryer katër shkelje:

Ilir Meta ka deklaruar se Kushtetuta nuk i përcakton Presidentit afatin 30-ditor për të zgjedhur një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, por socialistët e interpretojnë këtë afat 30 ditor si prekluziv, pra që nuk lë vend për interpretim dhe që duhet zbatuar, ndaj pyesin Venecian nëse ky afat si mekanizëm zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit është në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe për më tepër, a cilësohet e emëruar Arta Vorpsi?

Vetë mazhoranca është e bindur se në kuptim të ligjit, Arta Vorpsi është zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndaj nga Venecia presin përgjigje për pyetjen tjetër, nëse Presidenti mundet që të mos organizojë ceremoninë e betimit dhe a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?

Pyetja pesë që PS i adreson Venecias lidhet me betimin me shkrim, njëjtë siç bëri Arta Vorpsi tek noteri, por që nuk iu njoh nga ana e Gjykatës Kushtetuese. “A është betimi me shkrim një formë për të plotësuar kushtin e betimit për të filluar ushtrimin e detyrës, në situatën kur gjyqtari është emëruar në detyrë për efekt të ligjit?”, pyesin socialistët Venecian.

Përgjigjia e ekspertëve të Venecias mund të ndikojë në një masë të konsiderueshme edhe tek propozimi që ka bërë mazhoranca në Kuvend për ndryshimin e ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Thelbi i ndryshimeve, sipas propozuesve, synon që të shmangë në të ardhmen precedentë të ngjashëm si ai i Arta Vorpsit, duke ndryshuar paragrafin e parë të nenit 8 të ligjit aktual për të “legalizuar” betimin tek noteri.

Momenti i dytë për të cilin kërkohet ekspertiza e Komisionit të Venecias lidhet me emërimin e Marsida Xhaferllarit. PS akuzon Presidentin Meta se me këtë emërim ka kryer katër shkelje të tjera:

PS është e bindur se me këtë emërim, Presidenti Meta jo vetëm që ka shkelur afatin 30-ditor, por ka miratuar një kandidat jashtë listës së miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pasi Xhaferllari renditej e katërta në listë, ndaj pyesin nëse ky vendim cënon parimin e gjykatës së krijuar me ligj, siç parashikohet në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zgjedhja e një gjyqtari në kundërshtim me procedurën kushtetuese dhe ligjore?

Venecias i kërkohet mendim nëse me këtë akt cenohet legjitimiteti i Gjykatës Kushtetuese dhe ai bie ndesh me opinionin e Venecias të dhënë në kuadër të reformës në drejtësi për mekanizmat zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese?

Në fund, PS kërkon nga Komisioni i Venecias që të rendisë në opinionin e vet zgjidhjet sipas standardeve më të mira për të shmangur rastet kur refuzohet organizimi i ceremonisë së betimit për një zyrtar nga një organ i ngarkuar me kryerjen e këtyre ceremonive.

Ekspertët e Venecias pritet që në muajin shkurt të mbërrijnë në Tiranë me mision faktmbledhës, ndërsa raporti me opinionet përfundimtare mund të dalë rreth datës 20 mars, kur mbahet seanca e radhës plenare e Komisionit.

Pyetjet që Kuvendi i Shqipërisë ka dorëzuar në Komisionin e Venecias:

1 – Emërimi i një gjyqtari kushtetues tej afatit prekluziv 30-ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, a cenon parimin e gjykatës së krijuar me ligj?, sicc parashikohet në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zgjedhja e një gjyqtari në kundërshtim me procedurën kushtetuese dhe ligjore?

2 – A ndikon situata e paraqitur në pyetjen e parë në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancitë e shtetasve për një proces të rregullt ligjore? A bie ndesh kjo me opinionin e Komisionit të Venecias të datës 14 mars 2016 për mekanizmat zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese?

3 – A është në përputhje me standardet më të mira zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar gjyqtari kushtetues?

4 – A mundet presidentit që të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, kur ai/ajo në kuptim të ligjit konsiderohen të emëruar? Në këtë rast, a konsiderohet e cenuar e drejta e e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?

5 - Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues nisur nga solemniteti i betimit si akt, ccfarë mekanizmi mund të përdoret për të zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim një formë për të plotësuar kushtin e betimit për të filluar ushtrimin e detyrës, në situatën kur gjyqtari është emëruar në detyrë për efekt të ligjit?

6 - Cilat mund të ishin zgjedhjet sipas standardeve më të mira ndërkombëtare për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon që të thërrasë për betim zyrtarin?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë