Partia Socialiste propozon dy kandidatët për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i depozituar emrat e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Mësohet se një gjë e tillë është vendosur, pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së. Bledar Skënderi dhe Rezarta Bitrin janë dy emrat e maxhorancës për anëtarë të KQZ-së.
PS do t’i besojë sërish Skënderit, i cili ka qenë anëtar i KQZ-së. Ndërsa Rezarta Bitri propozohet për herë të parë. Ajo ka qenë këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese, aktualisht ka një studio ligjore avokatie. Gjithashtu më parë Bitri paraqiti kandidaturën në Parlament për Avokate të Popullit, ndërsa ka punuar edhe si këshilltare në Ministrinë e Inovacionit, gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama.
Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Bledi Çuçi, duke e konfirmuar dy kandidaturat e paraqitura, deklaron për gazetën SI me këto dy propozime për anëtarë, partia në pushtet kërkon që të zëvendësojë mandatet e anëtarëve të përfunduar Vera Shtjefnit dhe Hysen Osmanajt. Që të dy anëtarët u propozuan nga ana e Partisë Demokratike, e cila asaj kohe ishte në pushtet .
Kërkesa e PS-së, tashmë e depozituar në Kuvend bazohet tek neni 14 i Kodit, pika 1/a, ku përcaktohet se “2 anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e shumicës parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë”.
PS ripropozon Bledar Skënderin, mandati i të cilit tashmë ka mbaruar. Edhe pse Skënderi është i zgjedhur nga të majtët, PS thotë se ai duhet të llogaritet si i propozuar nga opozita parlamentare, duke ia kaluar kështu Partisë Demokratike që aktualisht është në opozitë. Gjithashtu edhe mandati i Gëzim Veleshnjes i zgjedhur nga LSI-ja, po nga radhët e së majtës, disa vite më parë.
Pra ky mandat duket se do t’i llogaritet opozitës, ku sërish LSI-ja pritet të jetë në dorë të Partisë Demokratike, ashtu siç ishte vite më parë në dorën e aleatit të dikurshëm, Partisë Socialiste.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbetur i bllokuar, pasi katër anëtarëve iu ka mbaruar mandati. Gëzim Veleshnja i LSI-së, Bledar Skënderi i PS-së, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj janë anëtarët që iu kanë mbaruar mandati.
Kjo KQZ ka mbetur me tre anëtarët, Klement Zguri, Denar Biba dhe Edlira Jorgaqi. Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi bëri të ditur në seancën e së enjtes se kryekomisioneri Klement Zguri ka depozituar dy letra për të nisur procesin e plotësimit të vakancave të krijuar me mbarimin e mandatit të 4 anëtarëve të KQZ-së.
“Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është depozituar për herë të dytë kërkesa për plotësimin e vendeve vakante në këtë institucion, pasi më 11 tetor u ka mbaruar mandati 4 anëtarëve të këtij institucioni. Aktualisht KQZ është vetëm me 3 anëtarë, pra pa kuorumin e nevojshëm për vlefshmërinë e mbledhjeve dhe veprimtarinë normale të tij. Prandaj, sikurse e kam dërguar edhe zyrtarisht, u bëj thirrje publike kryetarëve të grupeve parlamentare të bëjnë propozimet pa vonesë me qëllim fillimin e procedurave parlamentare për plotësimin e vendeve vakante’, sqaroi kryetari i Kuvendit, Ruçi.
Ndërsa pas kësaj nisme, Kuvendi është në pritje të paraqitjes së emrave të opozitës. PD-ja dhe LSI-ja nuk kanë vendosur ende se çfarë hapash do të ndërmarrin, do të paraqesin emra për kandidatë të KQZ-së ose jo. Mbi të gjitha nëse demokratët do të jenë bujarë, duke i dhënë vendin LSI-së. Kjo do të bente që PD-ja mbetej me dy anëtarë, ku kryekomisioneri Klement Zguri është përfaqësues i opozitës në KQZ.
Plotësimi i vakancave në KQZ është një proces që është i ndërvarur nga veprimet e opozitës dhe të mazhoracës. Kjo për faktin se Kodi Zgjedhor e ka parashikuar në pikën 2 të nenit 14 të Kodit Zgjedhor: Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së, sipas këtij neni, zhvillohet në një ditë të vetme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.