Politike

Anëtarët e KQZ, PS nuk pret opozitën. Basha: Uzurpim, s’marrim pjesë

Partia Socialiste nuk do ta presë opozitën për anëtarët e KQZ-së, por do të dërgojë për votim kandidaturat e saj Bledar Skënderi dhe Rezarta Bitri.

Skënderi do të zërë vendin e anëtarës Vera Shtjefni, ndërsa Bitri atë të Hysen Osmanajt, të cilëve iu ka mbaruar mandati.

Në komisionin parlamentar të Ligjeve u zhvilluan seancat dëgjimore për dy kandidaturat e paraqitura nga ana e Partisë Socialiste për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Prezantimi i këtyre dy kandidaturave është bërë nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili theksoi se ato janë të bazuara në Kodin Zgjedhor.

 “Kryetari i Kuvendit ka informuar të 4 kryetarët e grupeve parlamentare. PS si parti me numrin më të madh të vendeve të shumicës propozojmë zëvendësuesit e Shtjefnit dhe Osmanit, të cilët mbanin një mandat si përfaqësues të shumicës në kohën që janë zgjidhje. Prita që përfaqësuesit e partive të tjera të sillnin kandidaturat. Kanë përfunduar të gjitha afatet. Do të kenë vendosur ndoshta të mos e ushtrojnë të drejtën e tyre. Nuk di nëse partitë e tjerë kanë vendosur të mos ushtrojnë të drejtën për të propozuar kandidatura për anëtarë të KQZ”, deklaroi Balla.

Kryetari i grupit të PS-së, Balla theksoi se dy emrat për anëtarë të KQZ-së në këtë mënyrë garantohet vijueshmëria e punës së KQZ.

Bledar Skënderi i propozuari i PS-së si anëtar i KQZ në seancën dëgjimore në komisionin e Ligjeve

Ndërsa dy kandidatët e paraqitur nga e majta mund të votohen në seancën e së enjtes pas dhënies së dritës jeshile nga komisioni i Ligjeve, opozita shpall qëndrimin se nuk do të marrë pjesë në këtë proces.

Qëndrimi i u bë publik nga kryedemokrati Lulzim Basha në konferencën për shtyp, duke akuzuar të majtën se me paraqitjen e dy kandidaturave po e uzurpon këtë institucion.

“Vetë aprovimi i dy kandidaturave nga PS përbën shkelje të ligjit. PS nuk ka të drejtë në kuadrin aktual ligjor që të propozojë dy kandidaturat për anëtarë të KQZ-së, pra ka uzurpuar një kandidaturë të opozitës, që është një shenjë e asaj që kemi thënë e degradimit total të pushtetit, pra që është një kapje e paligjshme e KQZ-së, e natyrisht që opozita nuk mund e nuk do të bëhet pjesë e saj. Vetë KQZ me rëndësinë që ka me procesin zgjedhor është një pjesë e problematikës që ka shkaktuar një qeverisje e dalë nga krimi, me mandate të falura nga krimi”, deklaroi Basha.

Për demokratët beteja kryesore e opozitës për ndarjen e politikës nga krimi dhe jo atë të plotësimit të KQZ-së.

Pyetjes se pse nuk e tërheq kryekomisionerin Klement Zguri nga KQZ, meqë e konteston procesin e zgjedhjes së anëtarëve, kryedemokrati theksoi se “e tërheqim, ose jo, kjo nuk ndryshon asgjë nga qëndrimi politik i PD-së”.

Ai theksoi se me këtë veprim mazhoranca merr shumicën në KQZ.

Partia Socialiste ka propozuar që të zëvendësojë mandatet Hysen Osmanajt dhe të Vera Shtjefnit, të zgjedhur më parë nga PD-ja, duke i cilësuar si anëtarë të KQZ-së të zgjedhur me propozim të partisë së shumicës parlamentare.

Ndërsa dy mandatet e tjera të anëtarëve  Gezim Veleshnja të LSI dhe të Bledar Skënderit, maxhoranca ia la për opozitën.

Vetë deputeti i PS-së, Bledi Çuçi në reagim për gazetën SI deklaroi se socialistët kërkojnë zbatimin e Kodit Zgjedhor, ku dy anëtarët e KQZ-së i takojnë partisë së shumicës parlamentare, duke mos e lidhur këtë me faktin se ata janë zgjedhur në këtë institucion mbi bazën e propozimeve të PD-së.

Mbi bazën e deklaratës së lëshuar së fundmi nga kryedemokrati, PD kërkon që dy mandatet e Shtjefnit dhe të Osmanajt t’i takojnë asaj, ndërsa dy mandatet e tjera të anëtarëve të zgjedhur nga LSI dhe PS t’i takojnë PS dhe partive të tjera.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga 7 anëtarë, mbeti vetëm me 3 anëtarë Klement Zgurin, Edlira Jorgaqi dhe Denar Biba.

Katër anëtarëve të tjerë iu kishte përfunduar mandati. Por në bazë të një vendimi të Gjykatës së KQZ-së, Gëzim Veleshnjes, edhe pse i ka mbaruar mandati, ai qëndron në detyrë deri në zëvendësimin e tij.

Nëse votohen nga Parlamenti dy anëtarët e KQZ-së, atëherë plotësohet numri prej 5 anëtarësh me të drejtë vote, por opozita do të kishte vetëm një përfaqësues të sajin në këtë institucion, kreyekomisionerin Klement Zguri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë