Bota

Anëtarësimi në NATO / Tym i bardhë për Suedinë, Turqia dhe Hungaria drejt ratifikimit  

Tobias Billström, ministri i Jashtëm i Suedisë, u tha gazetarëve të mërkurën se  "është koha për të bërë ratifikimin si nga Turqia ashtu edhe nga Hungaria, dhe ky ishte një mesazh i qartë i dërguar nga ministrat e jashtëm".

Për muaj të tërë, Turqia dhe Hungaria kanë vonuar ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, duke nxitur zhgënjimin brenda aleancës ushtarake.

Duke folur për mediat ndërsa ministrat e NATO-s takohen në Bruksel, Billström tha:

“Kemi një moment shumë të rrezikshëm në kohë për Evropën dhe botën – dhe për NATO-n si organizatë. Me përkeqësimin e sigurisë dhe gjithashtu me luftën në Ukrainë, anëtarësimi i Suedisë në NATO është shumë i rëndësishëm për organizatën”.

Billström tha se u takua dje me homologun e tij turk Hakan Fidan.

Ai më tha se priste që ratifikimi të bëhej brenda javësh. Dhe sigurisht, ne nuk marrim asgjë si të mirëqenë nga ana e Suedisë, por presim që kjo të përfundojë.

Dhe, sipas tij, në këtë bisedë nuk u parashtruan kushte të reja, nuk pati kërkesa të reja nga qeveria turke, “ndaj ne shikojmë se pjesa jonë është e përmbushur”.

Ministri suedez tha gjithashtu se ministri i jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, ka përsëritur se Hungaria nuk do të jetë e fundit që do ta ratifikojë.

Billström shtoi: “Kjo do të thotë se është më shumë në duart e Ankarasë sesa të Budapestit. Presim tym të bardhë nga Budapesti në momentin që ka tym të bardhë nga Ankaraja, për ta thënë troç”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë