Kreu i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla nuk ka konsumuar kokainë. Ky është rezultati i analizave të kryera pranë Laboratorit të Policisë Shkencore pas kërkesës së bërë nga SPAK për kryerjen e analizave për vërtetimin e videos së transmentuar nga mediat dhe e publikuar më pas nga ana e Partisë Demokratike, ku do të ishte ish-deputeti Ervin Salianji që do të akuzonte drejtpërdrejt kryebashkiakun e Bulqizës.
Avokati i tij, Petrit Ismaili mësohet se pritet t’i drejtohet SPAK brenda javës për pushim të hetimeve. Vetë Alla pas publikimit të video e mohoi që të jetë ai personi në video, duke kërkuar që prokuroria të gjejë përmes atyre që e publikuan, personin që shfaqet duke pirë kokainë. Kryebashkiaku paralajmëroi se do të padisë për shpifje ish-deputetin Ervin Salianji, ndërsa akuzoi Partinë Demokratike se bashkë me një televizion lokal kanë montuar videon. Ai tha se ekzistenca e “video-montazhit më është bërë me dije prej rreth një viti, por gjithmonë kam besuar dhe besoj se duhet të jetë drejtësia ajo që ta hetojë dhe ta zbardhë” duke e mohuar. Për videon me të cilën u akuza Alla, SPAK thirri në prokurori gazetarin Artan Hoxha, i cili kishte publikuar këtë video, ku pretendohej më pas nga opozita, personi që konsumonte kokainë në një lokal ishte Lefter Alla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.