Politike

Lefter Alla padit Salianjin. PS kërkon hetim nga SPAK, PD: Qesharake

Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla nuk ka paditur në prokurori as televizionin që publikoi videon dhe as gazetarin që njoftoi i pari ekzistencën e kësaj videoje, por ka paditur ish-deputetin Ervin Salianji, që ishte i pari që bëri publik emrin e tij, si personi që shfaqet në video duke konsumuar kokainë.

“Dua të informoj opinion publik të Bulqizës dhe të gjithë Shqipërisë, me të drejtë të shokuar nga një video-montazh të publikuar në bashkëpunim nga Partia Demokratike dhe një televizion lokal, se sot jam nisur drejt Tiranës ku do të depozitoj një padi në ngarkim të shtetasit Ervin Salianji, një person me aktivitet përsëritës kriminal për situata të ngjashme, referuar organeve të drejtësisë shqiptare. Dua të sqaroj gjithashtu se ekzistenca e një video-montazhi më është bërë me dije prej rreth një viti, por gjithmonë kam besuar dhe besoj se duhet të jetë drejtësia ajo që ta hetojë dhe ta zbardhë. Prandaj deklaroj se unë do të pres zbardhjen e çdo vepre penale nga drejtësia. Kushdo që më akuzon mua të presë veprimet e Prokurorisë dhe vendimin përkatës të Gjykatës”, thotë ai.

Ashtu si në rastin e ish-deputetëve dhe të ish-kryebashkiakëve të tjerë të kapur në shkelje të rënda ligjore, Partia Socialiste mbetet besnike ndaj qëndrimit se nuk mbron asnjë përballë drejtësisë dhe se përgjegjësia për zyrtarët e zgjedhur nga radhët e saj është vetëm përgjegjësi personale.

Deputeti i PS dhe kryetar i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Gazeta Si, janar 2020

I tillë është edhe rasti i Lefter Allës, kryebashkiak i Bulqizës.

“Më lejoni të ndaj përgjegjësinë politike të PS me përgjegjësinë e institucioneve shtetërore dhe atë individuale të personave. PS e ka bërë të qartë se nuk bëhet mburojë për asnjë person publik, qoftë i zgjedhur në nivel vendor apo qendror, nëse bie ndesh me ligjin. Këtë demonstrim të vullnetit të saj politik, PS e ka shprehur me votë, por edhe me qëndrime publike, që kur votuam ligjin për Dekriminalizimin dhe reformën e drejtësisë, por edhe me qëndrimin që ka mbajtur me disa të zgjedhur lokalë, për të cilët ka pasur denoncime publike. Edhe në rastin konkret, PS është e qartë”, deklaroi në një intervistë për Neës24, deputeti Ulsi Manja.

Manja tha se Lefter Alla nuk mund të japë dorëheqjen pa u gjetur me shkelje.

“Askujt nuk mund t’i bëhet një gjyq publik, pa u shprehur agjencitë ligjzbatuese. Pra, do të duhet që Prokuroria të shprehet për rastin. Nëse prokuroria do të dalë në konkluzionin se videoja është rast konkret, institucionet shtetërore duhet të marrin masa. Po, në rast se ky person jep dorëheqjen sot, dhe nesër organet e drejtësisë thonë se videoja ishte shantazh? Ai nuk mund të rikthehet në detyrë”, vijoi Manja.

Partia Demokratike reagoi përmes Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Gazment Bardhi, fillimisht duke e cilësuar qesharak reagimin e kryebashkiakut të Bulqizës dhe “alibi” arsyetimin e socialistëve se përgjegjësia është individuale.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi. Gazeta Si, janar 2020

“Ky është modeli i Edi Ramës, i cili ka detyrimin ligjor dhe përgjegjësinë politike ta shkarkojë menjëherë nga detyra Mr. Kokainën e Bulqizës. Është qesharak dhe hilacak reagimi Lefter Allës për të paditur Partinë Demokratike pse media publikoi videon, ku ai provohet si përdorues i kokainës. Halucinacionet nga përdorimi i kokainës, apo mbrojtja nga shkarkimi prej Edi Ramës nuk e ndihmojnë dot”, thotë Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve Edi Ramën e ngarkon me detyrimin dhe përgjegjësinë politike që ta shkarkojë mënjëherë nga detyra Lefter Allën.

“Heshtja dhe mosveprimi i Edi Ramës është një tjetër dëshmi që përzgjedhja e Lefter Allës është bërë për shkak të cilësisë së tij si përdorues kokaine dhe lidhjeve të tij me grupet kriminale të shpërndarjes dhe shitjes së kokainës”, thotë ai.

PD e cilëson alibi arsyetimin e socialistëve se përgjegjësia është individuale.

“Fshehja pas përgjegjësisë individuale të Lefter Allës, Valdrin Pjetrit, Agim Kajmakut, Mark Babanit, Qerim Ismailajt apo Agron Malajt, është pjesë e strategjisë së Edi Ramës për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin. Këta i ka përzgjedhur dhe emëruar Edi Rama. Ky është modeli dhe ekipi qeverisës që Edi Rama i ofron shqiptarëve! Pa largimin e Edi Ramës nuk mund të ketë ndarje të politikës nga krimi!”, mbyllet reagimi i Gazment Bardhit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë