Rend dhe Ligj

Amnistia votohet më 30 janar në Parlament, nuk jepet numri i përfituesve

Qeveria ka dërguar në Parlament projektligjin për dhënien e amnistisë për të burgosurit. Në bazë të projektligjit të depozituar, ministria e Drejtësisë nuk ka përcaktuar numrin e përfituesve. Kjo duket se nuk është përllogaritur akoma, por përfitues janë disa kategori dhe se më tepër përparësi iu është dhënë grave që po vuajnë dënimin. Përfituesit janë ata të burgosur që u kanë mbetur deri në 2 apo 3 vjet burgim pa kryer dhe se kanë vendime deri në 30 shtator të 2019. Ndërsa grave të cilat nuk përfitojnë nga amnistia, është vendosur që t’u ulet 1/3 e dënimit. Sipas relacionit të këtij drafti në këtë amnisti janë janë përjashtuar veprat penale që kanë të bëjnë me: fushën e krimeve kundër njerëzimit; krimet e rënda kundër jetës, të kryera me dashje; veprat penale kundër shëndetit; krimin e organizuar; veprat penale që lidhen me lirinë e personit; veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit, që kanë një rrezikshmëri të lartë; veprat penale kundër fëmijëve, martesës, ku përfshihet keqtrajtimi i tyre, dhuna në familje, përdorimi i fëmijëve dhe shtytja e tyre në krim, pra vepra penale të cilat janë të rënda dhe cenojnë interesin e fëmijëve dhe të familjes.

Projektligji i Plotë Kliko

Gjithashtu, nuk përfitojnë për shkak amnistie, subjektet e dënuara për disa lloje të caktuara veprash penale, kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, zhvillimit të palejuar të lojërave të fatit, veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve, kundër mjedisit, pavarësisë dhe rendit kushtetues apo vepra të tjera në fushën e falsifikimit të monedhave dhe letrave me vlerë, të dokumenteve, e të tjerë. Ministria e Drejtësisë thekson se është treguar shumë kujdes që të mos përfitojnë nga amnistia disa vepra veçanërisht të rënda, siç janë krimet kundër autoritetit të shtetit, veprat kundër drejtësisë, ato që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve e të tjerë. Projektligji i paraqitur është do të diskutohet nga ana e dy komisioneve i Ligjeve dhe i Sigurisë. Ndërsa është parashikuar që të votohet në seancën e 30 janar. Për t’u kaluar në seancë Amnistia duhet një shumicë e cilësuar të votave. Amnistia e fundit u dha në vitin 2016.

Kush përfiton nga amnistia
Amnistohen personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdolloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.9.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
Amnistohen personat femra dhe të mitur, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdolloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.9.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
Amnistohen personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.
Amnistohen personat femra dhe të mitur, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
Amnistohen personat e dënuar femra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
Amnistohen personat e dënuar meshkuj, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur, të cilët nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas pikave 2, 4, 5 dhe 7, të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë