Politike

Amnistia dhe reforma zgjedhore, Basha për PD e Rithemelimit: Janë rimorkio e urbanit të Ramës

Kreu i PD-së, Lulzim Basha drejtoi të shtunën Kuvendin Zgjedhor të degës nr.3 në Tiranë.

Ndër të tjera, Basha tha se Rithemelimi dhe Partia Socialiste miratuan amnisti për të korruptuarit dhe jo për protestuesit.

'E zvaritën sa e zvarritën amnistinë derisa një ditë të bukur thanë ejani të bëjmë amnistinë, sepse brenda kishin futur atë që në gjuhën popullore quhet ‘mishi i dhisë’. Amnisti me mish dhie do të thotë amnisti për të korruptuarit dhe jo për protestuesit kundër korrupsionit. Këtë bënë. Por nuk e bënin dot pa disa vota nga ata që ulen në atë karrige me votat e opozitës. Me mundin, djersën dhe gjakun e demokratëve”, tha ai.

Sa i përket reformës zgjedhore, kreu i PD-së tha se propozimet e tij kanë mbështetje të gjerë.

'Të cilat siç e dini fare mirë, po të dalim jashtë i përqafon çdo qytetar pavarësisht prej bindjeve politike. Për listat e hapura, për votimin elektronik dhe numërimin elektronik, për Shqipërinë një zonë që garanton barazinë e votës dhe për votën e diasporës. Ky është një rast tjetër ku duket qartë se kush e bën betejën për shqiptarët dhe kush e bën këtë betejë për demokratët dhe kush është kthyer në rimorkio të urbanit të prishur të Edi Ramës.

E prishën komisionin e reformës zgjedhore se do të ndërtonin një tjetër celulë 3 plus 3. Ka më shumë se dy muaj që komisioni i reformës zgjedhore u asgjësua me dorën e atyre që i thonë vetes opozitë, por që në fakt janë rimorkio e Edi Ramës”, tha ndër të tjera Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë