Treg

AMF: Në mars, gati draftrregullorja për tregun e sigurimeve

Bordi i Autoritetit ka marrë vendim për të rritur me 34.4% provigjonet teknike, krahasuar me vitin 2018 në funksion të shëndetshmërisë së tregut të sigurimeve.

Në mars të vitit 2021 tregu i sigurimeve do të ketë një draftrregullore që mbështet ligjin aktual për sigurimet. Me financim të Bankës Botërore, draftrregullorja po përgatitet nga  dy ekspertë anglezë të fushës. Me gjithë problematikat që ka çdo treg, veçanërisht në kohë krize të përgjithshme, tregu i sigurimeve është likuid dhe ka aftësi paguese për të shlyer dëmet ndaj konsumatorëve.

Kështu e paraqet situatën në këtë treg Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare pasi gazeta “Si” kërkoi të  mësonte se si mbrohet konsumatori në këtë treg nëse ndonjë kompani falimenton.

Do kohë  më parë, gazeta “Si” ka publikuar një raport të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë ku analizohej Tregu i Sigurimeve në vend.

Sipas raportit, në treg ka operatorë që tashmë kanë gërryer jo vetëm kapitalet e veta, por edhe të tregut. Aftësia paguese e tregut pas efektit të gërryerjes vlerësohet të jetë me përafërsi afro 2 mld lekë, nga 3.6 mld lekë që duhet të ishte minimumi ligjor për ushtrimin e veprimtarisë. “Pra, nëse falimenton një ose disa operatorë, që përfaqësojnë bashkërisht afro 20% të totalit të volumit të primeve të shkruara bruto të tregut, pra operator i mesëm, praktikisht i tërë tregu përballet më një mungesë kapaciteti absorbues ose dështim tërësor dhe ngërç likuiditeti”, thuhet në raportin studimor.

Deri më tani, tregu shqiptar i sigurimeve nuk është përballur me raste shoqërish që falimentojnë, citonte raporti, apo i janë nënshtruar ndonjërës prej veprimeve të tjera, si administrim i përkohshëm, apo transferim portofoli, si me miratim të AMF-së apo me vendim gjyqësor, por raporti vëren se falimenti i disa shoqërive është skenar real dhe dëmi që mund t’u shkaktohet konsumatorëve mund të variojë nga 1.7 deri në 3.8 mld lekë.

“Praktikisht një ngjarje e tillë, do ta vendoste tregun e sigurimeve në pamjaftueshmëri të theksuar kapitali dhe probleme serioze likuiditeti”, vëren raporti.

Për këto arsye, ekspertët vlerësojnë se ndërhyrja në legjislacion dhe në rregullator duke u bazuar tek praktikat ndërkombëtare për të mbushur zbarzëtinë është e domosdoshme.

AMF sqaron në këtë rast se raporti studimor i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë është kryer për vitet kur Tregu i Sigurimeve rregullohej në mënyrë hibride përsa i përket faliemntimit; ai trajtohej edhe sipas ligjit të përgjithshëm të falimentimit edhe sipas ligjit të sigurimeve. Mandej në 2016 Tregu i Sigurimeve rregullohet vetëm me ligjin e sektorit. Prandaj, thotë AMF është duke u përgatitur draftrregullorja që të mbështesë dhe plotësojë vakumet që lë ligji aktual i sigurimeve ka.

Nga ana tjetër, për mundësinë e falimentimit të ndonjë kompanie, AMF thotë se është skenar jo real aktualisht.

Në të njëjtën kohë sqaron AMF, kompanitë që operojnë ka aftësi të mjaftueshme likuiditeti.

“Në tërësi, tregu i sigurimeve paraqitet i qëndrueshëm në terma të treguesve kryesorë të shëndetit financiar, duke ruajtur treguesit dhe indikatorët e stabilitetit financiar. Në periudhën janar-tetor 2020, tregu i sigurimeve pësoi rënie me 5.43%, ndikuar nga pandemia, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në rreth 13.5 miliardë lekë prime të shkruara bruto. Gjatë kësaj periudhe ka patur një rritje prej 23% të pagesës së dëmeve, krahasuar me një vit më parë, kryesisht për shkak të pagesës së dëmshpërblimeve të dy ngjarjeve të tërmetit të vitit 2019.”- thotë AMF.

Ajo nënvizon se situata financiare e shoqërive të sigurimit paraqitet me një nivel të përshtatshëm likuiditeti, duke ruajtur treguesit financiarë në nivel tregu. AMF bën me dije se niveli i likuiditetit është objekt monitorimi në vazhdimësi nga ana e Autoritetit dhe në përgjithësi ai paraqitet i qëndrueshëm. 

Gjithashtu, sqaron AMF se, tregu i sigurimeve paraqitet i mirëprovigjonuar. Kjo edhe pas vendimit të marrë nga Bordi i Autoritetit për të rritur me 34.4% provigjonet teknike, krahasuar me vitin 2018, që përbën rritjen më të madhe të realizuar ndonjëherë ndër vite, në funksion të shëndetshmërisë së tregut të sigurimeve. 

Në bazë dhe për zbatim të kërkesave të Ligjit 52/2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” dhe akteve nënligjore në fuqi, Autoriteti monitoron ekspozimin e shoqërive të sigurimit për të gjitha rreziqet që tejkalojnë 10% të aftësisë paguese, përfshirë edhe atë ndaj rrezikut të zjarrit dhe fatkeqësive natyrore. Risiguruesit kryesorë që mbulojnë aktualisht shoqëritë e sigurimit, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator, janë të klasifikuar me A+ e lart nga Standard & Poor's dhe agjencitë e tjera klasifikuese.”- shprehet AMF.

Referuar dy ngjarjeve të tërmetit të vitit të kaluar, bazuar në të dhënat deri në fund të nëntorit 2020, numri i përgjithshëm i kërkesave për dëmshpërblim është 6,278, në një vlerë totale prej rreth 4.48 miliardë lekë. Deri në 27.11.2020, rezultojnë të paguara 92.5% e kërkesave për dëmshpërblim. AMF thotë se ecuria e pagesave po monitorohet nga Autoriteti edhe nëpërmjet inspektimeve tematike.

* “Provigjon” nënkupton një shumë të llogaritur për mbulimin e përgjegjësive. “Provigjon teknik” nënkupton një shumë të llogaritur në bazë të një parashikimi dhe sipas mënyrave aktuariale të caktuara, e cila i shërben siguruesit për të mbuluar përgjegjësitë që lindin nga kontratat e sigurimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë