Analize

Amerikanët i kufizojnë pushtetin Trump. Tani “beteja” me demokratët

"Faleminderit, nesër do të jetë një ditë e re për Amerikën”.Me këto fjalë, Kryetarja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, njoftoi fitoren në zgjedhjet e së martës në SHBA.

Edhe pse republikanët fituan shumicën e senatit, epokës së sundimit të unifikuar të Donald Trump, sipas analistëve perëndimorë i ka ardhur fundi. Gjatë dy viteve të para të presidencës së tij, Trump përfitoi nga një Kongres “miqësor”, duke çuar përpara të gjitha premtimet e tij politike, edhe pse një pjesë e tyre binin në kundërshtim e interesat e aleatëve me të mëdhenj të Amerikës. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi legjislacionin e Trump kundër emigracionit të paligjshëm, shfuqizimin e Obamacare dhe shkurtimet e ndihmave sociale, por pas disa javësh, klima politike në SHBA ka të ngjarë të ndryshojë.

Kontrolli i Dhomës së Përfaqësuesve do t'u japë demokratëve një mundësi të artë për të hetuar nga “koka te këmbët” administratën e Presidentit Donald Trump. Rezultatet e zgjedhjeve mes mandatit ka të ngjarë të kthehen në një makth për Shtëpinë e Bardhë, por mund të kthehet gjithashtu një “terren të minuar” politik për fituesit.

 Nancy Pelosi

Trump i detyruar të ndryshojë qëndrimin ndaj emigrantëve

Një javë para zgjedhjeve, presidenti amerikane ndërmori një sulm frontal ndaj emigrantëve. Të hënën, Trump njoftoi vendosjen e mijëra trupave në kufirin jugperëndimor me Meksikën, ndërsa  të martën  tha se po shqyrton heqjen e të drejtës kushtetuese për dhënien e nënshtetësisë amerikane për fëmijët që lindin në SHBA.  Të mërkurën, presidenti shpërndau një reklamë që krahasonte karvanin e emigrantëve me një vrasës të dënuar, i cili hyri në mënyrë të paligjshme në SHBA disa vite më parë. Ndërsa të enjten shpërndahu një tjetër spot elektoral që tregonte një emigrant meksikan pa dokumente.

Falë kontrollit të Shtëpisë së Bardhë dhe shumicës republikane në të dyja dhomat e Kongresit, Trump ka bërë ndryshime gjithëpërfshirëse në politikën e emigracionit.  Por marrja e Dhomës së Përfaqësuesve nga demokratët mund të ndryshojë rrënjësisht debatin.

Frank Sharry, drejtor ekzekutiv i Zërit të Amerikës, thotë se demokratët do të ndjekin një agjendë agresive për të hetuar se kush e hartoi politikën e ndarjes së familjeve të emigrantëve të paligjshëm, e cila shkaktoi zemërim ndërkombëtar. Ky ishte një nga ndryshimet që Trump bëri me anë të rendit ekzekutiv por një Dhomë e kontrolluar nga demokratët nuk mund t’i vërë fre të gjitha veprimeve impulsive të presidentit.

Pothuajse të gjitha politikat e emigracionit të ndërmarra nga Trump kanë qenë të diskutueshme. Ai vendosindalimin e udhëtimit për emigrantët nga vendet kryesisht myslimane dhe u përpoq t’i jepte fund mbrojtjes për qindra mijëra emigrantë të rinj që mbërritën në SHBA kur ishin fëmijë(DACA).

Presidenti Donald Trump

Trump gjithashtu dëshiron të ndërtojë një mur në kufirin jugor me Meksikën. Kongresi ende nuk e ka financuar plotësisht projektin prej 25 miliard dollarësh, por tani që demokratët kontrollojnë Dhomë e Përfaqësuesve mund të bllokojnë shpenzimet kundër emigracionit të paligjshëm. Sipas analistëve, Trump mund të përpiqet të arrijë një marrëveshje me demokratët, duke rënë dakord për të mbrojë rreth 700.000 emigrantë që mbërritën në SHBA  kur ishin fëmijë, në këmbim të miratimit të ndërtimit të murit në kufirin meksikan.

"Unë mendoj se presidenti do të ishte i lumtur për të zgjeronte DACA-n me deri në 2 milionë njerëz në këmbim të financimit të murit në kufirin jugor", tha Mark Krikorian, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Studimet e Emigracionit, një organizatë që mbron kufijtë nga emigracionin  i paligjshëm.

Të tjerë analistë thonë se përplasjet e vazhdueshme në Kongresin amerikan mbi emigracionin ka të ngjarë të çojnë në një mbyllje të pjesshme të qeverisë në fund të vitit.

 Nancy Pelosi, ka thënë se nuk do të negociojë me Trump për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën.

"Kjo është një çështje burrërie për presidentin dhe unë nuk jam e interesuar t’ia ofroj këtë mundësi," tha Pelosi disa ditë para zgjedhjeve. Ajo shprehet se mbrojtja e emigrantëve është një prioritet legjislativ për demokratët, por kjo nuk do të thotë se ata nuk mbështesin masat më të forta për sigurinë kufitare. “Por muri- tha ajo-është mënyra më e keqe për të mbrojtur kufirin".

Tanimë që partia e saj ka fituar terren, çdo marrëveshje për emigracionin do të duhej të kalonte përmes Senatit.

Agjentët e Patrollimit të Kufijve kalojnë përgjatë një strukture të sapondërtuar të murit kufitar në Calexico të Kalifornisë. Financimi për muret kufitare është një nga një prioritetet e administratës Trump

"Të gjitha politikat për emigracionin e paligjshëm do të kalojnë nën filtrin e demokratëve", tha Chris Chmielenski, zëvendës drejtor iorganizatës më e madhe amerikane për reduktimit e emigracionit. "Kjo ka të ngjarë të bllokojë një pjesë të mirë të nismave të fundit të Trump kundër emigracionit të paligjshëm”, shton ai.

Megjithatë ka diçka për të cilën pajtohen të gjithë ekspertët: Trump është i paparashikueshëm.  A do të ndryshojë qëndrim ndaj emigrantëve? Ka pak të ngjarë. A do të përpiqet të arrijë në një kompromis me demokratët? Kur vjen fjala te presidenti i 45-të amerikan është e vështirë të mendohet.

Hetimet që demokratët mund të nisin kundër Trump

Mediat amerikane bëjnë të ditur se demokratët planifikojnë të nisin hetime për atë ardhurat financiare të presidentit, lidhjet e tij me Rusinë dhe vendimet e politikës së jashtme. Kongresmenët demokratë, Maxine Vaters, Adam Schiff dhe Jerry Nadler do të udhëheqin Komitetin e Shërbimeve Financiare të Kongresit, Komisionin e Inteligjencës dhe Gjyqësorin. Me kontrollin e tyre dhe komisioneve të tjera kyçe, demokratët do të kenë autoritetin ligjor që të detyrojnë republikanët dhe vetë presidentin Trump të dorëzojë dokumente ose të paraqitet në seanca dëgjimore .

Kryetari i Komitetit të Inteligjencës Adam Schiff, ka premtuar të nisë një hetim për të përcaktuar nëse presidenti ka pastruar paratë nëpërmjet Rusisë dhe të hetojë lidhjet e tij me Arabinë Saudite. "Ne do të bëjmë punën tonë, edhe pse ajo mund të shndërrohet në një makth", tha ai duke i sugjeruar partisë së zotit Trump të ishte transparente.

Hetimi i demokratëve varet edhe nga veprimet e Këshilltarit Special të Departamentit të Drejtësisë, Robert Mueller, i cili po shqyrton lidhjet mes Rusisë dhe stafit të fushatës presidenciale të Donald Trump në vitin 2016. Nëse ai arrin të mbledhë prova përgjatë dy muajve të ardhshëm kundër administratës Trump, demokratët ka të ngjarë të kërkojnë marrjen në pyetje të të gjithë personave të përfshirë, në Kongres. Shumica e demokratëve besojnë se ka çështje vendimtare që u injoruan nga republikanët. A ishte Trump i pranishëm në një takim në vitin 2016 midis një avokati rus dhe djalit të tij? A u hodhën para ruse në fushatën e republikanëve përmes Shoqatës Kombëtare të Pushkëve? A ka marrë presidenti informacione sekrete nga Rusia? Sipas mediave amerikane demokratët ka të ngjarë të bëjnë gjithçka për t’u shkuar deri në fund këtyre pyetjeve.

Presindenti Donald Trump, Ivanka Trump dhe Jared Kushner 

Kongresi mund të ketë gjithashtu autoritetin për të marrë deklaratat tatimore të presidentit Trump, edhe pse ai ka refuzuar në mënyrë të përsëritur publikimin e tyre. Sipas “Bloomberg”, një pjesë e mirë e hetimeve të nisura nga demokratët ka të ngjarë të përqendrohen tek konfliktet e mundshme të interesit që përfshijnë Trump dhe familjen e tij.

"Fokusi duhet të jetë tek çështjet që tregojnë se Trump dhe banda e tij po vjedhin nga të gjithë ne për të përfituar vet", tha Norman Eisen, kongresmen demokrat qe drejton një grup të mbikëqyrjes etike. Ai dëshiron që Kongresi të shqyrtojë shkeljet e mundshme të klauzolës së shpërblimeve për Kushtetutën e SHBA, e cila ndalon një president që të marrë pagesa nga një qeveri e huaj, pasi bizneset familjare të presidentit Trump kanë klientë të huaj, veçanërisht “Trump International Hotel” në Uashington. Eisen tha se do të donte gjithashtu të niste hetime për vendimet administrative që ndikojnë në interesat e bizneseve të zotit Trump, të vajzës së tij Ivanka dhe dhëndrit të tij, Jared Kushner.

Sipas sondazheve të CNN, rreth 40%  votuesve duan që Presidenti Donald Trump të shkarkohet. Ndoshta kjo mund të bëhet një çështje kyçe tani që demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe do të kenë kompetencat hetimore dhe procedurale. Nancy Pelosi, ka thënë se nuk është e interesuar të nisë procedurat për shkarkimin e Trump, por kjo nuk do të ndalojë shumë prej demokratëve. Sipas sondazheve të CNN, 77% e demokratëve kërkojnë me ngulm shkarkimin e presidentit. Tani që partia e tyre fitoi terren, me siguri demokratët do të bëjnë të pamundur për ta çuar përpara këtë nismë. Kjo është për tu parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë