Lajme

Ambasadorja sllovene inkurajon Metën për kapërcimin e krizës

Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim lamtumire Ambasadoren e Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, Lea Stançiç, e cila po i jep fund mandatit diplomatik në Shqipëri.
Meta ka shprehur vlerësim për ambasadoren Stançiç për forcimin e gjithanshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, Sllovenisë dhe Shqipërisë.
“Shumë suksese në të ardhmen për Ambasadoren e Republikës së Sllovenisë, znj. Lea Stançiç, në fund të mandatit të saj diplomatik në Shqipëri.
Në afro 4 vjet ajo ka kontribuar në mënyrë të spikatur për forcimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të miqësisë dhe të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Sllovenisë”, shprehet presidenti Meta në rrjetin social “Facebook”.
Meta ndër të tjera thekson se me mbështetjen e Sllovenisë ekzistojnë hapësirat për kapërcimin e krizës ku ndodhet vendi dhe sipas tij rikthimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
“Mbështetja e dhënë nga Sllovenia në rrugëtimin tonë drejt familjes europiane, na inkurajon për të shtuar përpjekjet për kapërcimin e krizës së rëndë ku ndodhet vendi dhe rikthimin urgjent në shinat e demokracisë dhe shtetit ligjor, për t’i shërbyer objektivit strategjik të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian gjatë mbledhjes së Këshillit të 17-18 tetorit. Faleminderit Ambasadore!”, përfundon presidenti Meta.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/photos/a.1479540228758912/2383457938367132/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë