Politike

Ambasadori i BE për sulmet e Metës dhe paraqitjen e Veliajt në SPAK: Duhet ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet

Gonzato hodhi poshtë se ka mbajtur një standard të dyfishtë me Ramën dhe Metën duke thënë që qëndrimi i tyre ka qenë konstant dhe mbështetja për sistemin e drejtësisë është e palëkundur

Në çeljen e javës së Evropës 2024 në Shqipëri, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka bërë thirrje që Prokuroria e Posaçme SPAK të lihet të bëjë punën e vet.

Gonzato gjatë fjalës së tij, siguroi që BE-ja nuk ka mbajtur asnjëherë një standard të dyfishtë lidhur me qëndrimin e saj sa i takon mbështetjes së drejtësisë së re.

“Nuk ka standard të dyfishta. Mbështetja për sistemin e drejtësisë është e palëkundur, por mesazhi është i njëjtë dhe i përhershëm. Ne i japim përparësi të madhe reformës në drejtësi dhe duhet ta lëmë të bëjë punën e vet”.

Ambasadori, nuk pranoi të komentonte paraqitjen në SPAK të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, por theksoi edhe një herë mbështetjen ndaj SPAK.

“Ne nuk komentojnë për hetime por ju e dini mbështetjen tonë për SPAK.  Mbështes punën e këtij institucioni. Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, janë pjesë e kapitujve themelorë të BE që do të hapen të parët dhe do të mbyllen të fundit. Kam besim të plotë te SPAK, vijojmë punën me Bashkinë, për transportin e gjelbër, shkollat etj. Objektivi im është të bashkëpunojmë” tha ambasadori i BE-së.

Gjatë konferencës për shtyp ku të pranishëm ishin edhe gazetarët, ambasadori u pyet nëse BE ka pasur standard të dyfishtë duke reaguar ndaj Metës kur sulmoi SPAK por jo ndaj kryeministrit Rama.

Gonzato hodhi poshtë se ka mbajtur një standard të dyfishtë duke thënë që qëndrimi i tyre ka qenë konstant dhe mbështetja për sistemin e drejtësisë është e palëkundur, por mesazhi është i njëjtë dhe i përhershëm,“ne i japim përparësi të madhe reformës në drejtësi dhe duhet ta lëmë të bëjë punën e vet".

Përsa i përket votës së diasporës, Ambasadori evropian i bëri thirrje Kuvendit që të shohë rekomandimin që ka ofruar OSBE/ODIHR dhe “të ndjekë punën përkatëse në mënyrë konstruktive”.

“Mendoj se duhet të arrijnë mirëkuptim dhe ka disa vendime të Gjykatës Kushtetuese që duhet të trajtohen”.

Bashkimi Evropian, mbetet partneri më i madh në Shqipëri, u shpreh Ambasadori.

"Vendet e Ballkani Perëndimor janë të rrethuar nga vendet e BE. Shtetet anëtare e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj çështjeje për begatinë e të ardhmen e vet BE. Nuk e shohim si favor ndaj jush, por si diçka që përfitojnë të gjithë. Pranimi bazohet te merita", tha ambasadori në lidhje me antarësimin e Shqipërisë në BE.

Goznato ka folur edhe për lirinë e medias, ku ofroi mbështetjen e BE-së në mbrojtjen e gazetarëve kur bëhen objekt sulmesh e kritikash lidhur me punën e tyre.

“Puna që ju bëni si gazetarë duhet të reagoni për atë që është e drejta e qytetarëve që të jetë i informuar, informacion të bazuar mbi fakte dhe të vërteta. Këto janë gjëra që ju kanë bërë objekt sulmesh dhe kritikash, por mund të mbështeteni te BE, e cila është gjithmonë krahë jush”, ka njoftuar ai.

2 deri në 11 maj në Shqipëri do të zhvillohet Java e Evropës 2024, ku në Tiranë, Shkodër dhe Gjirokastër do të mbahen aktivitete të ndryshme ku do të transmetohen vlerat që qëndrojnë në thelb të BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë