Futboll

Allegri është gati të kthehet: Refuzova Realin, dua një klub fitues

Në 30 qershor 2020 përfundoi kontrata prej 7 milionë në vit e Massimiliano Allegri me Juventus e tani tekniku livornez, që me bardhezinjtë ka fituar 11 trofe në 5 vjet, është gati të nisë një aventurë të re, në Itali por edhe jashtë saj: “Nuk më intereson vërtetë ku. Po kërkoj një klub me të cilin të ndaj një projekt e që të ketë ambicien për të konkurruar e për të fituar” ka zbuluar Allegri për mikrofonët e Marca.

“Iu gëzova familjes e qytetit tim, Livornos, me miqtë e një jete. Karikova bateritë” e tani tekniku sheh drejt së ardhmes, sepse dëshira për tu kthyer të përjetojë ndeshjet si protagonist është e madhe dhe pranon se është gati të drejtojë një skuadër në La Liga e zbulon se ka qenë pranë Real Madrid pas lamtumirës së parë të Zidane: “Dy vjet më parë pati një kontakt por nuk ndodhi asgjë sepse kisha një kontratë me Juventus. Kisha një impenjim të fortë moral kundrejt klubit e njerëzve të tij”.

E në lidhje me Juventus, Allegri shprehet i sigurtë se dominimi i bardhezinjve do të vazhdojë gjatë: “Është një skuadër e ndërtuar për të fituar e për të fituar akoma. Vetëm për këtë. Për këtë arsye  mendoj që mund ta bëjë për vite të tjerë. Me Cristiano Ronaldo-n kanë bërë një kapërcim të madh, e shoh akoma për shumë vjet në Torino”. Pastaj një koment për Milanin , një pjesë tjetër e së kaluarës së tij: “Duhet një projekt i fortë dhe i vazhdueshëm. Ndryshimi i ekipit çdo sezon nuk të lejon të rritesh”.

Një batutë edhe mbi Lautaro Martinez e për hipotezën e kalimit tek Barcelona: “Fanella e Barças peshon shumë e çdo lojtar në botë duhet të ketë forcën e personalitetin për ta veshur. Lautaro ka gjithë cilësitë për të patur sukses. Aktualisht po bën shumë mirë tek Inter, por të shohim nëse një ditë mund ta tregojë në Camp Nou”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë