Politike

PS depoziton kërkesën për ndryshimin e ligjit të dosjeve: Në ‘filtër’ edhe ata që janë verifikuar më parë!

Mazhoranca ka depozituar në Kuvend dy kërkesat e Autoritetit të Dosjeve për ndryshimin e ligjit për informimin e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit dhe për Kodin Zgjedhor.

"Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë ka vendosur të depozitojë sot pranë Kuvendit nismat ligjore për ndryshime të Ligjit funksional nr 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialistë të Shqipërisë", deklaroi kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.

Mazhoranca i ka depozituar propozimet e Autoritetit pa u bërë asnjë ndryshim dhe kërkon që ato të trajtohen menjëherë.

“Rastet flagrante dhe shqetësuese të pasqyruara në shkresën informuese të Autoritetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me certifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm”, vijoi Klotilda Bushka.

Ligjet janë komisioni i parë që shqyrton nisma të tilla. Por, në këtë deklaratë, Bushka nuk tha nëse do ta mbledhë komisionin para pushimeve, apo jo.

“Transparencë e plotë për këto raste duhet të kryhet dhe pengesat apo boshllëqet në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar”, u shpreh ajo.

Sipas Bushkës…

“Dy nismat tona ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një çertifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe të vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre”.

“Pikërisht për t’u sigururuar që historia të mos përsëritet dhe arritjen e paqes sociale duhet që bashkëpunëtorët e sistemit të mëparshëm të mos të kenë mundësi të jenë pjesë e vendimarrjes i çfarëdo niveli qoftë ai”, mbylli fjalën e saj, kryetarja e Komisionit të Ligjeve.

Kërkesa e parë, ajo për ligjin për informimin për dosjet e ish-sigurimit të shtetit lidhet me shfuqizimin e pikës 4 të nenit 29, që pengon Autoritetin e Dosjeve që të verifikojë zyrtarët e politikanët që janë të pajisur me certifikata pastërtie figure nga Komisionet Mëzini e Bezhani.

Kërkesa e dytë sqaron disa detaje në Kodin Zgjedhor mbi kandidatët në zgjedhje vendore e qendrore, të cilët, sipas këtij propozimi, detyrohen që të dorëzojnë formularët e vetëdeklarimit për pastërtinë e figurës 70 ditë para zgjedhjeve. Në këtë afat kohor, Autoriteti kryen verifikimet në dosjet e ish-Sigurimit dhe në rastet kur nuk ka përputhje mes vetëdeklarimit dhe verifikimit e çon çështjen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vendimmarrjen përfundimtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë