Lajme

Algjeria në finale, Mahrez ia dedikon golin ekstremistit të djathtë

Një gol në minutën e 95-të me shijen e hakmarrjes sociale. Rijad Mahrez, shënoi golin e dytë në fitoren 2-1 ndaj Nigerisë, në kohën shtesë, duke e çuar Algjerinë në finale e Kupës së Afrikës, ka festuar me një postim të veçantë në profilin e tij. “Ajo goditje dënimi ishte për ty. Jemi bashkë”, - ka shkruar lojtari i Mançester Sitit, duke postuar edhe disa fytyra që qeshin pranë flamujve të Algjerisë dhe të Francës.

Kujt i referohet mesfushori algjerian? Pas çerekfinales së fituar me penallti ndaj Bregut të Fildishtë, në Francë dolën në rrugë mijëra tifozë algjerianë për të festuar, duke shkaktuar edhe kaos. Bilanci ishte dramatik: një viktimë, dhjetëra agjentë policie të plagosur dhe 74 persona të ndaluar pas këtyre rrëmujave. Kjo situatë e shtyu Zhylien Odul, një eksponent politik të “Rassemblement National”, partisë së ekstermit të djathtë në Francë, që të shprehte hapur mbështetjen e tij ndaj Nigerisë, kundërshtarit të Algjerisë në gjysmëfinale. E bëri këtë, pasi nuk donte sërish probleme në Francë. Mahrez, i cili ka lindur në Sarcelles, pranë Parisit, e mbajti mend mirë atë qëndrim dhe gjeti mënyrën e duhur për t’u hakmarrë. Algjeria do të luajë në finale e Kupës së Afrikës ndaj Senegalit.

https://twitter.com/Mahrez22/status/1150536510640406528
Postimi i Mahrez në Tuiter

Gjatë natës ka pasur sërish rrëmujë në qytetet më të mëdha në Francë. Ministria e Brendshme ka bërë me dije se janë 282 të arrestuar, por sipas të përditshmes “Le Monde” këto arrestime kanë të bëjnë edhe me incidentet e paradës së 14 korrikut. Në Paris dhe Marsejë policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa në Lion janë regjistruar më shumë se 100 aksidente rrugore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë