Lajme

Algjeria kampione e Afrikës pas 29 vjetësh, Benaser më i miri i turneut

Algjeria është kampione e Afrikës pas 29 vitesh. “Dhelprat e shkretëtirës” kanë triumfuar në finalen ndaj Senegalit, falë një goli në Bounedjah vetëm pas 2 minutash lojë. Në Kairo, skuadra e drejtuar nga trajneri Belmadi pati fatin ta niste ndeshjen me gol dhe arriti ta mposhtte Senegalin, që ashtu si në vitin 2002, e mbylli i dyti, duke mos e prishur “mallkimin” e trofeut më të rëndësishëm afrikan.

Senegali nuk kishte në finale mbrojtësin e Napolit, Kulibali, i cili ishte i skualifikuar. Por edhe fati nuk ishte me senegalezët, sepse goli u pësua me një karambol. Njeriu i ndeshjes dhe i turneut gjithashtu është shpallur Ismael Benaser, mesfushori 21-vjeçar i Empolit që pritet t’i bashkohet Milanit këto ditë. Në hije Mahrez i Mançester Sitit, lojtari që e kishte sjellë Algjerinë deri në finale. Bounedjah, lojtari që humbi penalltinë ndaj Bregut të Fildishtë në çerekfinale, ka buzëqeshur në finale, duke vënë shenjën e tij në golin e fitores. Kishin kaluar vetëm 79 sekonda, kur sulmuesi i Al-Sadd gjuajti pa shumë pretendime me të djathtën, por topi u devijua nga Sane dhe përfundoi në rrjetë. Një goditje e fortë për Senegalin, që u mundua të reagonte me Mane dhe e vuri në presion mbrojtjen e Algjerisë, por pa mundur të barazonte.

Benaser, lojtari më i mirë i Kupës së Afrikës

Ka pasur edhe tension në fushë, përplasje mes lojtarëve. Presioni i senegalezëve u rrit në pjesën e dytë, por porta e M’Bohli mbeti e paprekur edhe për gabimet e sulmuesve të Senegalit. VAR-i anuloi vendimin e arbitrit që i kishte dhënë një penallti Senegalit për prekje të topit me dorë, që në fakt nuk ishte. Festa e algjerianëve shpërtheu pas përfundimit të ndeshjes në stadium dhe në vendin e tyre, por edhe në Francë. Në tribunë ka festuar edhe Frank Riberi, tifoz i Algjerisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë