Bota

Aleksei Navalny varroset në Moskë. Mijëra mbështetës i dhanë lamtumirën (foto, video)

Nga Gazeta 'Si'- Mijëra persona me lule në duar të rrethuar nga forcat e sigurisë i kanë dhënë lamtumirën e fundit kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili është varrosur të premten në varrezat Borisovskoye në Moskë.

Ka raportime se në momentin e varrosjes së trupit të tij, është dëgjuar kënga “My Way” e Frank Sinatras.

Para varrimit, në Kishën “Ikona e Nënës dhe Zotit”, është mbajtur një ceremoni përkujtimore, në të cilën kanë marrë pjesë edhe prindërit e tij. Prindërit Anatoliy and Lyudmila, nuk kanë bërë ndonjë koment publik.

Prindërit e Navalnyt.

Ka pasur shumë njerëz që u janë afruar prindërve duke u thënë “faleminderit për birin tuaj” dhe “na falni”.

Disa persona janë dëgjuar duke bërtitur jashtë kishës, “ekzekutues”, “Rusia do të jetë e lirë”, “jo luftës”.Të tjerë kanë thënë duke qarë, “nuk do të të harrojmë”.

Zëdhënësi Dmitry Peskov u tha gazetarëve se nuk do të jepte asnjë vlerësim për Navalny si figurë politike dhe se nuk kishte asgjë për t’u thënë të afërmve të tij.

Ceremonia është mbajtur te kisha në qarkun Marjino, ku ka jetuar Navalny për një kohë, sipas ish-zëdhënëses së tij, Kira Yarmysh.

Diplomatë të huaj, përfshirë ambasadorët e Shteteve të Bashkura, Gjermanisë, Francës kanë shkuar në kishë për të nderuar Navlanyn.

Ata janë parë të veshur në të zeza dhe me trëndafila në duar.

Navalny vdiq më 16 shkurt në koloninë penale në Siberi ku po vuante një dënim 19-vjeçar pasi u shpall fajtor për krijimin e një komuniteti ekstremist, financimin e aktivistëve ekstremistë dhe krime të tjera në gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë