Politike

Aleati i Bashës: Dy kushtet që opozita të kthehet në Kuvend!

Aleati i Partisë Demokratike, Dashamir Shehi, këmbëngul që opozita të mos kthehet në Kuvend nëse nuk plotësohen dy kushte që kërkojnë sigurisht bashkëpunimin dhe vullnetin nga ana e mazhorancës.

Kreui i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, shpjegon se është i vendosur për këtë së baashku me aleatët e tjerë, edhe pse Brukseli kërkon që dialogu politik të zhvillohet brenda institucioneve zyrtare.

“Duam ligj për Vettingun në politikë dhe dekriminalizimin e zgjedhjeve që po vijnë. Kjo do ta bëjë të mundur rikthimin e opozitës në Kuvend. Nëse këtu nuk ka ndryshuar asgjë, as ndryshimi jonë nuk ka pse të ndryshojë”, - thotë Shehi në një intervistë televizive.
Shehi thekson se ia vlen që të digjen edhe mandatet që Europa ta kuptojë se situata në Shqipëri është shumë e keqe.

“Ia vlen edhe djegia e mandateve për hir të kësaj gjëje, një pjesë e politikës ia vlen të vetësakrifikohet që t’i kujtojmë Europës se këtu po ndodh diçka thellësisht e keqe. Ne nuk kthehemi në parlament. Kemi shumë respekt për Brukselin, por për këtë thirrje patetike…Ne gjykojmë që vendosmëria jonë do t’ia dalë t’ia bëjë të qartë edhe Brukselit se kush janë problemet reale të Shqipërisë, se shpesh herë nuk e kuptojnë”, tha kryetari i LZHK-së.

Megjithatë Shehi ka dhe kritika ndaj qëndrimit të PD-së kur bëhet fjalë për sistemin e ri zgjedhor, pasi partitë e vogla janë në llogore të ndryshme me forcën e drejtuar nga Lulzim Basha.

“Pavarësisht se PD nuk ka ndonjë entuziazëm të madh për ndryshimin e sistemit, e ka filluar me numërim elektronik, gjëra shumë të rëndësishme, por ne aleatët kemi pretenduar se Shqipërisë i duhet një sistem i ri zgjedhor… o lista të hapura, o zona të korrektuara maxhoritar me proporcional, Shqipëria ka nevojë për një sistem proporcional kombëtar”, - nënvizon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë