Lajme

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Çdo ligj i Ramës do rrëzohet

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Rama gjatë Kongresit të PS sot në kryeqytet, se Teatri Kombëtar do të shembet dhe në vend të tij do të ndërtohet një i ri.

Në një deklaratë për mediat të postuar në faqen zyrtare në “Facebook” të Aleancës, thuhet se deklarata e kryeministrit arriti një nivel të ri urrejtje ndaj trashëgimisë, artit dhe kulturës së Tiranës dhe Shqipërisë.

"Në fjalimin e mitingut, një spektakël që shqiptarëve u ka kushtuar më shumë se gjysmë milion euro, ai kërcënoi se do të shembte jo vetëm Teatrin Kombëtar, por edhe Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Kombëtar, si dhe Teatrin e Kukullave e njohur edhe si godina e parlamentit të parë shqiptar", thuhet në deklaratë.

Aleanca konsideron se planet e kreut të qeverisë janë gënjeshtra e përhershme për “modernizimin” e qytetit, sipas saj “kjo nuk është aspak e vërtetë”.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është e bindur që Rama nuk do guxojë të ndërmarrë asnjë hap kundër Teatrit, ashtu siç nuk ka guxuar deri më sot.

Aleanca beson se Rama dhe servilët e tij politikë do zhduken një ditë nga pushteti dhe gjasat janë që kjo ditë të jetë shumë më e shpejtë.

“Në shumë fusha të jetës, ligjet dhe vendimet e marra prej tij do të rrëzohen. Por grabitjet e truallit dhe betonizimet do të jenë operacione të vështira dhe të kushtueshme për tu riparuar”, - vijon deklarata.

Aleanca i kërkon opozitës që të deklarojë qartë dhe hapur se çdo ndërtues që i afrohet këtyre godinave do mbartë koston për restaurimin e tyre në të ardhmen në gjendjen fillestare dhe “se asnjë tjetërsim trualli nuk do të njihet!”.

https://www.facebook.com/mbroteatrin/posts/412516565974375

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë