Futboll

Albin Kurti zgjidh qesen: 200 mln € për stadiumet e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka gati 200 mln euro për të investuar në rregullimin e infrastrukturës së futbollit. Me anë të një postimi në faqen zyrtare, kryeministri Albin Kurti thekson se qeveria dardane është e vendosur të rregullojë stadiumet.

Postimi i Kurtit:

200 milionë euro për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit.

Jemi të vendosur, stadiumet po bëhen. Me këtë vëllim, buxhet e seriozitet nuk është trajtuar asnjëherë futbolli.

Kemi nisur rindërtimin e tërësishëm të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Punimet vazhdojnë në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Për përfundimin e punimeve në stadiumin e qytetit të Gjakovës kemi zotuar nëntë milionë euro.

Po hartohen projektet për renovimin e stadiumit të Pejës dhe ndërtimin e stadiumit të ri të Ferizajit. Për stadiumin e Gjilanit po zhvillohen procedurat e prokurimit për zbatimin e punimeve, ndërsa shumë shpejt nisim procedurat për fazën e fundit të punimeve në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren.

Punimet janë duke vazhduar edhe në stadiumet e Malishevës e Shtimes, si dhe në fushat ndihmëse në Bërnicë, Gjilan, Raushiq, Studençan, Komoran dhe Kllokot.

Janë shpallur procedurat për hartim të projekteve për stadiumet e reja të Suharekës dhe Rahovecit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë