Ne rrjet

Albin Kurti vendos reciprocitetin me Serbinë brenda disa ditësh

Kryeministri Albin Kurti pritet të heqë brenda disa ditësh barrierën kryesore që ka mbajtur Serbinë dhe Kosovën larg dialogut të bisedimeve: tarifën 100% ndaj mallrave serbe.

Kreu i qeverisë ka bërë të ditur mëngjesin e sotëm se do ta zëvëndësojë taksë me reciprocitetin, për të mbrojtur prodhuesit e Kosovës.

Duke folur në një konferencë të organizuar nga këta të fundit, Kurti ka bërë të ditur se qeveria ka formuar grupin e punës për vendosjen e masave të reciprocitetit.

“Parimet e reciprocitetit do të bazohen në CEFTA dhe do të prezantohen brenda disa ditësh”, tha kryeministri.

Vendimi për heqjen e taksës, i cili ka qene edhe kërkesa kryesore e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht SHBA-ve, është marrë në koordinim të plotë me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Partia e Isa Mustafës duket se është pajtuar plotësisht me strategjinë e Kurtit për reciprocitet me Serbinë.

Kjo u konfirmua të martën nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka deklaruar po ashtu se dy-tre ditët e ardhshme do të prezantohet masat e reja për marrëdhëniet ekonomike me Serbinë.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në ceremoninë e ngritjes së Flamurit në oborrin e Qeverisë. Gazeta Si, shkurt 2020

Osmani deklaroi pas mbledhjes së Kryesisë se partisë se saj se Vetëvendosja dhe LDK-ja kanë arritur një marrëveshje për heqjen e tarifës ndaj produkteve serbe dhe zëvendësimin me masa të reja për reciprocitet.

Por çfarë mund të përmbajnë këto masa dhe a do të afrojnë Beogradin dhe Prishtinën drejt dialogut?

Sipas ekspertit amerikan Daniel Serwer, vendim i Kurtit për të vendosur reciprocitet është i drejtë, por kjo sipas tij nuk do të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve, sepse nuk ka gjasa të pranohet nga Serbia.

“Kryeministri Kurti ka të drejtë të kërkojë që marrëdhëniet me Serbinë të bazohen në reciprocitet. Unë nuk jam i sigurt nëse Beogradi është i gatshëm ta pranojë. Në fakt nuk pres ndonjë lëvizje në marrëdhëniet mes dy palëve deri në përfundimin e zgjedhjeve parlamentare të prillit në Serbi" , tha Serëer në një intervistë për Zërin e Amerikës në Beograd.

Albin Kurti e ka kërkuar reciprocitetin si masë kushtëzuese ndaj Serbisë që në vitin 2011, kur ishte në opozitë. Ai ka propozuar një rezolutë me 7 dhjetor 2011, në Kuvendin e Kosovës, e cila ishte miratuar me 42 vota dhe kërkonte që qeveria të vendoste masa reciprociteti të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë.

Mirëpo, një muaj më vonë, me imponim të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi, tani president i vendit, rezoluta u hodh poshtë.

Nëntë vite më vonë, Kosova gjendet përballë të së njëjtës zgjedhje dhe të së njëjtës përballje mes Albin Kurtit me Hashim Thaçit. Por tani nuk është më fillimit i dialogut me Serbinë, por faza finale e dialogut.

Tani Albin Kurti nga posti kryeministrit ka në dorë të realizojë premtimin e tij për masa reciproke ndaj Serbisë, edhe pse mund ta ketë të vështirë për shkak të trysnisë së paparë ndërkombëtare për heqjen e të gjitha kushtëzimeve ndaj Serbisë.

Albin Kurti dhe Vuçiç, Gazeta Si, 2020

Mbetet të shihet, se a do t’i bëjë ballë Albin Kurti presionit ndërkombëtar, në veçanti atij amerikan lidhur me masen e reciprocitetit, pasi i dërguari special i presidentit Donald Trump për dialogun, ka kundërshtuar ashpër këtë vendim.

Sipas ekspertëve, reciprociteti në radhë të parë e nënkupton lëvizjen e lirë të qytetarëve,  hyrjen dhe daljen nga shteti i Serbisë në Kosovë dhe anasjelltas me pasaporta e jo të vazhdojnë kushtëzimet e njëanshme nga shteti i Serbisë për shtetasit kosovar vetëm me letërnjoftim, ndërkohë që shtetasit serb të kalojnë me pasaporta serbe në territorin e Kosovës.

Megjithatë, reciprociteti do të ketë kuptim vetëm nëse Serbia zbaton të njëjtat masa që ajo  aplikon ndaj Kosovës.

Mirëpo, pa një trysni të vërtetë ndërkombëtare, vështirë është të besohet që Serbia pa njohje paraprake do të zbatoj masat e reciprocitetit, pra pranimin e pasaportave dhe dokumenteve tjera me logon e Republikës së Kosovës.

Pra, reciprociteti duhet të jetë real e jo formal, siç ishte taksa 100 %, e shoqëruar me evazion të lartë fiskal dhe kontrabandë mallrash nga Serbia në Kosovë.

“Edhe po të vihet reciprociteti nga ana e Qeverisë Kurti, duhet të vëzhgohet me kujdesin maksimal zbatimi nga Serbia para vazhdimit të çdo dialogu me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, për t’u siguruar që Kosova po hyn në fazën e njohjes nga Serbia, në të kundërtën zhgënjimi për qytetarët do të jetë i madh dhe pasojat për shtetin të pa llogaritshme”, thotë eksperti Florim Zeqa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë