Lajme

Albin Kurti në Samitin e Paqes: Në Tiranë ndihem si në shtëpinë time

Kryetari i Vetëvendosjes dhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, duke folur në Samitin e Paqes së Europës Juglindore, që mbahet për herë të parë në Shqipëri, iu drejtua pjesëmarrësve me fjalët që ai ndihej si në shtëpinë e tij.
Kurti u shpreh se samite të tilla janë shumë të vlefshme, pasi i bëjnë njerëzit bashkë dhe shërbejnë për të shembur muret e ndasive mes vendeve.
“Ndjehem si në shtëpinë time dhe këtu në Tiranë, kështu që mirë se keni ardhur. Samite të tilla që bëjnë bashkë njerëzit janë tejet të vlefshme për të ardhmen, njerëzit jetojnë dhe lulëzojnë në bashkësi. Kjo është detyra jonë që të bëjmë njerëzit bashkë dhe të kuptojmë se angazhimi për paqen na mundëson përparimin.
Para 30 vitesh ka rënë muri që na ndante në kohën e luftës së ftohtë, mirëpo ndasitë kanë vazhduar se në vend të një muri të madh, kemi mure të vegjël që na ndajnë mes nesh. Është e domosdoshme të themi që nuk ka asnjë alternativë më të mirë sesa paqja”, tha ndër të tjera Albin Kurti.
Kurti tha ndër të tjera se pasi fitoi zgjedhjet u është zotuar kosovarëve për drejtësi dhe punësim.
"Ne si Vetëvendosje fituam zgjedhjet dhe tani kemi një punë të madhe përpara që të plotësojmë këto kërkesa të qytetarëve. Në Kosovë të gjithë duan punë dhe drejtësi”, tha më tej Kurti.
Samiti i Paqes, i cili po mbahet në Pallatin e Kongreseve do të zgjasë deri më datë 27 të këtij muaji. Samiti organizohet nga Federata e Paqes Universale, si pjesë e një serie në vazhdim samitesh anembanë botës që mbështesin ndërvarësinë, begatinë e ndërsjellë dhe vlerat universale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë