Ka ndodhur

Albin Kurti infektohet me koronavirus

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se sot se ka rezultuar pozitiv me Covid-19, duke iu bashkuar kështu një liste të gjatë të politikanëve që janë infektuar nga koronavirusi, si kryeministri Avdulla Hoti dhe Isa Mustafa.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook se dy ditë më parë i janë shfaqur simptoma të lehta të sëmundjes dhe më pas i është nënshtruar testimit.

“Nisa kisha disa simptoma: dhimbje të lehtë koke, pak kollë dhe dhimbje e skuqje sysh. Dje jam testuar për Covid-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Në dy javët në vijim do të qëndroj në vet-izolim”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Aktualisht, sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, që prej fillimit të pandemisë, deri më 27 tetor, në Kosovë janë regjistruar 18,345 të infektuar. Më shumë se 660 pacientë kanë humbur jetën dhe 2,478 raste vazhdojnë të jenë aktive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë