Futboll

Albi Doka do transferohet në Kroaci, humbje e dyfishtë për Tiranën

Sapo të përfundojë këtë kampionat me fanellën e Tiranës dhe të jetë shpallur kampion, sipas të gjitha gjasave, Albi Doka do të transferohet në kampionatin kroat. Mbrojtësi i krahut të djathtë të Tiranës ka arritur një marrëveshje me klubin e HNK Goricës, me të cilin do të bashkohet pas mbylljes së aventurës bardheblu. Lajmi i bërë i ditur nga e përditshmja “Panorama Sport” pritet të zyrtarizohet shumë shpejt nga klubi kroat dhe nga vetë futbollisti.

Doka është përfolur shumë për një kalim të mundshëm në një kampionat të huaj, pasi ka spikatur vitet e fundit te Tirana, duke fituar një vend titullari në moshë shumë të re. Mbrojtësi 22-vjeçar, më parë edhe pjesë e Kombëtares U-21, do të bëjë kështu një hap të rëndësishëm në karrierë me kalimin në Kroaci, duke shpresuar që ky vend të jetë një trampolinë e mirë për të ardhmen. Marrëveshja mes Dokës dhe HNK Goricës, që mban vendin e 6-të në kampionatin elitar kroat, është dyvjeçare.

Albi Doka, mbrojtësi i Tiranës. Gazeta Si, 23 maj 2020

Tirana del e humbur dyfish me këtë lëvizje, sepse jo vetëm humb një titullar me peshë, por as nuk përfiton financiarisht. Dokës i përfundon kontrata me bardheblutë në fund të kampionatit, ai nuk pranoi të rinovonte dhe do të largohet me parametra zero. Një dështim i drejtuesve të Tiranës në menaxhimin e produktit të vet. Doka, i cili mbyll sezonin e katërt me fanellën e Tiranës, do të luajë edhe ndeshjet e mbetura dhe në fund të korrikut do të nisë aventurën kroate.

Në Kroaci shtohet kështu kolonia shqiptare. Në këtë kampionat luajnë aktualisht lojtarë të Kombëtares si Ardian Ismajli dhe Myrto Uzuni, por edhe Enis Çokaj, Indrit Tuci dhe Jon Mersinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë