Analize

Alarmi nga Nju Jorku: I gjithë Ballkani i kapur nga mafia!

“Ballkani Perëndimor është kapur nga krimi dhe korrupsioni”. Ky ka qënë alarmi i ngritur gjatë një konference në Nju Jork nga një sërë ekspertësh amerikanë.

Kjo konferencë e mbajtur në Institutin Harriman në Universitetin e Columbias, u organizua posaçërisht për korrupsionin dhe krimin e organizuar në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas ekspertëve amerikane, por edhe rajonalë, problemi kryesor në Ballkan nuk është “ndikimi rus” , por kapja e shtetit dhe lidhjet midis krimit të organizuar dhe qeverive.

Në këtë konferencë, morën pjesë lektorë nga Universiteti i Columbia dhe Sussex, të cilët theksuan se ndryshimi nga brenda vendeve të rajonit nuk do të jetë i mundur, pasi liderët në Ballkan po bëhen gjithnjë e më shumë autokratë.

“Ekziston një simbiozë midis krimit të organizuar dhe aktorëve të shtetit, i cili krijon pengesa për demokratizimin e mëtutjeshëm të shoqërisë. Politikanët kujdesen më shumë për punën e tyre dhe burimin e tyre të të ardhurave, sesa për ndikimin e krimit të organizuar", tha Tanja Domi, pedagoge në Universitetin e Columbias.

Liz David Beret, Drejtor i Qendrës për Korrupsionin në Universitetin e Sussex, tha se hyrja e krimit të organizuar në strukturat shtetërore ndryshon nga një vend në tjetrin në Ballkanin Perëndimor dhe varet nga shkalla e demokracisë, por është një fenomen që po vjen duke u përkeqësuar.

“Liderët autoritarë në Ballkan janë bërë më të fuqishëm dhe institucionet e mbikëqyrjes, gjyqësori dhe policia janë të kapura, duke e bërë çdo luftë kundër korrupsionit më të vështirë”, deklaroi ai. Ekspertët britanikë dhe amerikanë vunë në dukje se kur bie fjala tek Ballkani, bashkësia ndërkombëtare mbështet stabilitetin në kurriz të demokracisë.

“Populizmi dhe keqpërdorimi i burimeve publike për qëllime private janë në rritje, të gjitha po bëhen pjesë e jetës së përditshme politike në Ballkanin Perëndimor," shpjegoi Drejtori i Institutit Harriman, Aleksandër Kuli.

Pamje nga konferenca ne Nju Jork. Gazeta Si, 2019

Edhe pse asnjë nga liderët e Ballkanit Perëndimor nuk është hetuar për korrupsion, pjesëmarrësit e konferencës theksuan se puna e gazetarëve investigativë është thelbësore, por se gazetarët në terren përballen me shumë rreziqe dhe pengesa. Redaktorja e BIRN në Kosovë, Jeta Jara, theksoi se u deshën dhjetë vjet që një gazetar të bindte shikuesit të besonin në investigimet e tyre më shumë sesa narrativat politike të tregtuara nga autoritetet.

“Skuadra ime dhe unë u sulmuam në vitin 2009 ndërsa bënim punën tona. Ne vazhduam të zbulonim abuzimet e autoriteteve, qeveria nuk na sulmoi, por vazhduam të veprojmë njësoj ", tha Jara.

Jovana Marović, Drejtore Ekzekutive e “Politico” në Malin e Zi theksoi se problemi kryesor në vendin e saj janë institucionet e kapura.

“Agjencia Kundër Korrupsionit nuk nis hetime pavarësisht investigimeve të shumta mediatike. Dhe duke qenë se nuk ka kontrolle, nuk ka asnjë informacion që t'i përcillet prokurorisë, dhe prokuroria në mënyrë selektive ndjek vetëm çështje që duhet të tregohen para bashkësisë ndërkombëtare ”, paralajmëroi Marović.

Ndërsa ekspertja nga universiteti i Oksfordit, Tena Prelec, thotë se Kina dhe Rusia kanë ndikim në Ballkan, por se ky nuk është një problemi më i madh i vendeve të rajonit.

"Ne zbuluam se kapitali i korruptuar vinte kryesisht nga vendet jo-perëndimore. Por ndonjëherë, kështu ndodh edhe me investimet perëndimore. Dhe çfarë na tregon kjo? Se para se të shqyrtojmë se nga vjen ndikimi i huaj, duhet t'i kushtojmë vëmendje situatës në terren. Është shumë më e rëndësishme të forcohet sundimi i ligjit", tha Prelec.

Protesta ne Beograd. Gazeta Si, 2019

Korrupsioni në Ballkan

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria, janë “kapur” nga politikanë të korruptuar, të lidhur ngushtë me krimin e organizuar. Këto fakte janë dokumentuar nga raporte të ndryshme ndërkombëtare, që po ngrenë shqetësime të mëdha mes zyrtarëve amerikane por edhe atyre të BE-së rreth procesit të integrimit europian në Ballkanin Perëndimor.
Si Shqipëria, ashtu edhe vendet e tjera të rajonit pritet të përmbushin standardet sociale, politike dhe të të drejtave të njeriut, si kërkesa themelore për t’u integruar në BE. Megjithatë, Perendimimi bëhet gjithnjë e shqetësuar nëse vendet e Ballkanit mund t’i përmbushin këto standarde, pasi korrupsioni është i ngulitur si në jetën shoqërore ashtu edhe sferën politike të rajonit.

Cornelia Abel, eksperte e Europës Juglindore, thotëse , lidhja mes politikanëve dhe krimit të organizuar në Balkan rrezikon sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushtetit .
Indeksi mbi Perceptimin e Korrupsionit (2018), thekson se shumica e vendeve të Ballkanit kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit. Gazetarët dhe aktivistët në Ballkan rrezikojnë çdo ditë në përpjekjet për të ekspozuar udhëheqësit e korruptuar.Nga të gjitha vendet e Ballkanit, më e korruptuara është Maqedonia, duke u renditur e107-ta.

Kosova është vendi i dytë më i korruptuar në Ballkan i renditur i 85-ti në raportin e fundit të Transparency International. “Në Kosovë, ku papunësia arriti një shifër alarmante prej 30%, politikanët janë klasa më e pasur në vend. Shumë biznese të mëdha janë zgjeruar falë mbështetjes së politikanëve, të cilët marrin miliona në këmbim të përpjekjeve të tyre”, bënë të ditur Lavdim Hamidi, kryeredaktori i gazetës “Zëri”.

Nga ana tjetër, Jeton Zulfaj, një zyrtar kaloi dy dekadat e fundit në Kosovë duke u fokusuar në strategjitë anti-korrupsion thotë se, që kur shpalli pavarësinë e saj në 2008, Kosova u ka shërbyer udhëheqësve të saj politikë që të bëhen jashtëzakonisht të pasur. "Pa marrë parasysh se ku shërbyen, të gjithë zyrtarët po përfitojnë shumë më tepër sesa paga e tyre. Zyrtarët e partive të nivelit të lartë u bënë aq të pasur sa filluan të punësonin shoferë dhe truproja personale pa deklaruar burimin e financimit", thotë Zulfaj.

Sipas indeksit të korrupsionit, Shqipëria ra nga vendi i 83-të në vendin e 91-të. Sipas “Transparency International” vendi ynë ka bërë përparim në trajtimin e korrupsionit në sektorin publik, por ka ende një rrugë të gjatë përpara, veçanërisht në lidhje me korrupsionin në gjyqësor.

Angela Merkel dhe liderët e Ballkanit Perëndimor. Gazeta Si, 2019


Sistemi i drejtësisë, duke përfshirë prokurorët dhe gjykatat, janë kapur nga elita politike. Politikanët përdorin pushtetin e pakufizuar të shtetit për të shantazhuar votuesit, ndërkohë që bizneset e mëdha private janë, deri në një farë mase, një zgjerim i sistemit politik.
Bosnja dhe Hercegovina nuk ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit përgjatë gjithë dekadës së fundit, duke u renditur një vend më poshtë se Shqipëria. Në Bosnje, korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisë mbetet një shqetësim serioz. Ambasadori britanik në Bosnjë dhe Herzegovinë, Matt Field, ka ngritur alarmin në dhjetor për korrupsionin në Ballkanin Perëndimor duke deklaruar se: Kostoja përfundimtare e korrupsionit është vështirë të llogaritet, por përfshin vjedhjen e miliona eurove nga qeveritë e korruptuara, qindra fonde të vjedhura dhe dhjetëra investime të huaja të humbura. Dhe ky çmim paguhet gjithmonë nga qytetarët, të cilët nuk marrin shërbimet publike cilësore për të paguajnë.

Abel quajti Serbinë si shembullin kryesor të një “sistemi politik të kapur”, duke përmendur ndikimin e madh të presidentit Aleksander Vuçiç. “Serbia po shndërrohet në shembullin kryesor të sistemi të qeverisur nga një njeri i vetëm”, tha ajo.
Mali i Zi gjithashtu ka bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit dhe mbetet në vendin e 64-të. Ekspertët e Transparency International thanë se Brukseli i kërkon Podgoricës rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë politik si një nga kushtet kryesore për anëtarësimin BE.

Çfarë duhet bërë?

Korrupsioni politik është një nga pengesat kryesore që ka ngadalësuar në mënyrë dramatike procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Duke pasur parasysh, se vendet e Ballkanit janë të etura për t’u bashkuar me BE-në dhe faktin që kjo e fundit është e interesuar t’i tërheqë në orbitën e saj dhe t’i distancojë nga Turqia dhe Rusia, të dyja palët duhet të marrin masa specifike për të adresuar problemin e korrupsionit.
BE-ja mund të përdorë buxhetin e saj për të ofruar investime, hua dhe qasje në tregun europian, duke e bërë kështu të pamundur të konkurrohet nga Rusia as Turqia. Në këmbim, Ballkani duhet të ndërmarrë reforma politike, ekonomike dhe sociale. BE-ja duhet të insistojë gjithashtu për një transparencë dhe llogaridhënie më të madhe, e cila do të kufizonte korrupsionin e përhapur në sferën politike të rajonit. Për këtë qëllim, BE duhet të rifillojë një prani të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë jo vetëm në Kosovë (që sapo përfundoi pas dhjetë vjetësh), por në të gjitha shtetet e Ballkanit që dëshirojnë të bëhen anëtarë të BE.

Trajtimi i problemit të korrupsionit në Ballkan është thelbësor për interesat gjeostrategjike të BE-së, si dhe për mirëqenien e ardhshme të qytetarëve të saj. Hyrja e Ballkanit në BE duhet të shihet si një martesë e domosdoshmërisë që do të rrisë ndjeshëm sigurinë e tyre kolektive, ndërkohë që përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës dhe respektin për të drejtat e njeriut në të gjithë Ballkanin.

Burimet: “The Globalist”, “European Western Balkans”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë