Bota

Alarmi i Rumanisë: Dronët rusë kanë shkelur gjatë natës hapësirën tonë ajrore

Gazeta Si - Rumania, një vend anëtar i NATO-s, raportoi këtë të shtunë një shkelje të mundshme të hapësirës së saj ajrore gjatë sulmeve të natës nga dronët rusë në infrastrukturën në Ukrainën fqinje.

“Pas zbulimit të grupeve të dronëve që po shkonin drejt territorit ukrainas pranë kufirit rumun”, u sinjalizua alarmi për banorë e komunave Tulcea dhe Galati, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

“Sistemi i vëzhgimit të radarit tregoi një hyrje të mundshme të paautorizuar në hapësirën ajrore kombëtare, me një sinjal të zbuluar në një rrugë drejt bashkisë së Galatit”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Mbrojtjes, tha se deri më tani nuk duket se ka rënë ndonjë objekt në territorin rumun, por kërkimet do të vazhdojnë.

Rreth mesnatës, banorët e Galatit dhe Tulceas, të cilët kanë pamje nga porti i Renit në Ukrainën jugore përtej Danubit, morën një alarm që u kërkonte të strehoheshin.

Masat paralajmëruese u hoqën rreth dy orë më vonë. Në fillim të këtij muaji, ushtarët rumunë ndërtuan strehimore për sulmet ajrore për të mbrojtur banorët e fshatit lindor rumun të Plaurus, pasi në zonë u gjetën fragmente të dronëve rus gjatë mësymjes në kufirin me Ukrainën.

Rumania është një vend anëtar i NATO-s dhe në rast të një përshkallëzimi të situatës në këtë zonë, Aleanca Atlantike ka paralajmëruar marrjen e masave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë