Politike

Alarmi i Berlinit: Miliardat kineze po na largojnë Ballkanin

I përqendruar vetëm tek ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Europian duket se ka harruar një tjetër aktor, që përmes miliardave që po investon në rajon rrezikon ta zëvendësojë Brukselin si partnerin kryesor të gjashtë vendeve kandidate për anëtarësim.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas foli në Bundestag në ditët para se të përcillte mesazhet mbështetëse në Shkup e Tiranë për të ardhmen europiane jo vetëm të Shqipërisë e Maqedonisë, por për të gjithë rajonin.

Në fjalimin e mbajtur u kujtoi ligjvënësve gjermanë për rrezikun që në momentin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të anëtarësohet edhe një ‘copëz’ Kine.

“Është me rëndësi që t’u ofrojmë këtyre vendeve një perspektivë të qartë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, një qëndrim të besueshëm dhe të palëkundur, në të kundërt vende të tjera, siç është edhe Kina janë tek porta”, tha ai.

Kryediplomati gjerman thotë se ndaj duhen shmangur burokracitë dhe Europa mund të vazhdojë ende që të eksportojë stabilitet dhe siguri përmes procesit të zgjerimit të saj.

“Paratë kineze ofrohen pa shumë kushte, ndryshe nga fondet e Bashkimit Europian. Europa mund të vazhdojë të eksportojë stabilitet dhe siguri përmes procesit të zgjerimit, ashtu siç e kemi bërë në të shkuarën”, vijoi Maas.

Analizat e ekspertëve dhe njohësve të rajonit prej disa vitesh nxjerrin në pah rrezikun e rritjes së ndikimit kinez në rajon. Pekini, ndryshe nga Rusia, thonë ata, po hyn në rajon përmes investimeve dhe kredive të buta, me pak kosto financiare për vendet e Ballkanit, por me rrezikun e një të nesërmje gjithnjë e më të lidhur me vendin aziatik.

Që prej ndërmarrjes së nismës “16 + 1”, Kina ka shtuar financimet përmes bankave dhe fondeve shtetërore, një pjesë e të cilave janë dhënë në formë grantesh. Nisma shtrihet në 16 vende të Europës Lindore dhe Ballkanit dhe përfshin edhe vende anëtare të Unionit.

Por, nëse vendet anëtare kanë më shumë imunitet nga ndekimi i Pekinit, vendet e Ballkanit Perëndimor janë vulnerabël. Miliardat kineze kanë hyrë në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë në Serbi, por edhe në Shqipëri. Në vendin tonë, kujtojmë Aeroportin e Rinasit, apo Bankers Petroleum, por edhe ftesat e kryeministrit Edi Rama për kompanitë kineze për të ndërtuar projekte të rëndësishme infrastrukturore, siç ishte ajo për Rrugën e Arbrit.

Rritja e ndikimit kinez në Shqipëri citohet edhe në raportin e Fondacionit gjerman, Conrad Adenauer. Mes aktorëve me më shumë ndikim në vendin tonë, ky fondacion rendit edhe Kinën, por nuk e lidh atë vetëm me vendin tonë, por si pjesë të një strategjie shumë më të gjerë për të rritur ndikimin e vet në Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë