Futboll

Alarm tek Atletiko Madrid, dy pozitivë në prag të sfidës së Championsit

Lajme të këqija për Atletiko Madrid në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve me Lajpcigun. Klubi spanjoll, me një njoftim zyrtar, ka bërë të ditur se dy pjesëtarë të skuadrës kanë rezultuar pozitivë në testin e Covid-19 dhe se janë izoluar në shtëpi, sipas protokollit.

Emrat e dy pjesëtarëve të klubit madrilen nuk janë bërë të ditur, por shtypi spanjoll është i bindur se bëhet fjalë për dy futbollistë. Po ashtu, shtypi sportiv në Spanjë shkruan se ka rrezik shumë të madh që edhe pjesëtarë të tjerë të skuadrës të jenë infektuar. Atletiko Madrid do të përsërisë testet dhe më pas do të vendoset, nëse do të niset për në Portugali apo jo.

Në fillim të muajit maj, braziliani Renan Lodi, mbrojtësi i Atletiko Madrid, kishte rezultuar pozitiv. Ishte i vetmi rast tek Atletiko, që edhe në fund të kampionatit u ishte nënshtruar testeve me 93 pjesëtarët e skuadrës së parë, lojtarët, stafi dhe punonjësit e klubit. Të gjithë kishin rezultuar negativë, ndërsa të dielën janë regjistruar dy rastet pozitive. Atletiko duhej të nisej të martën për në Lisbonë, por në bashkëpunim me UEFA-n po programon shtyrjen e udhëtimit, stërvitjes dhe qëndrimit në Portugali. Shtypi në Spanjë ka hedhur edhe hipotezën se ndeshja me Lajpcigun mund të shtyhet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë